Hulumtimi i NDI: Shqipëria përgjithësisht po ecën në drejtimin e duhur
Instituti Demokratik Amerikan (NDI) ka publikuar sot rezultatet e hulumtimit përmes 10 grupeve të fokusuara që NDI ka kryer në Shqipëri gjatë muajit dhjetor 2014. Sipas NDI në këto grupe u ngritën shqetësime rreth papunësisë, çmimeve të larta dhe barrës së taksave, por këto shqetësime aktuale kundërpeshojnë vlerësimin e shumicës së pjesëmarrësve se Shqipëria përgjithësisht po ecën në drejtimin e duhur.
Shumica e pjesëmarrësve thanë se mbështesin iniciativat e fundit mbi zbatimin e ligjit, por disa janë të shqetësuar se ky zbatim i ligjit nuk po bëhet në mënyrë konsistente. Ata janë të irrituar nga grindjet partiake që denigrojnë e poshtërojnë institucionet publike dhe ligjërimin politik. Sipas NDI, ndryshe nga gjetjet e viteve të kaluara, korrupsioni nuk u rendit ndër prioritetet kryesore. Megjithatë, korrupsioni u përmend rëndom në komentet rreth ekonomisë dhe çështjeve sociale, veçanërisht në fusha si shëndetësia, arsimi dhe drejtësia. Pjesëmarrësit dëshirojnë punësim në baza meritokracie në administratën publike, e cila shpesh perceptohet si nepotike dhe bazuar në lidhje politike. Disa pjesëmarrës perceptojnë një zbatim selektiv të ligjit duke favorizuar personat e pasur dhe me lidhje politike.
Mbështetja për integrimin në Bashkimin Europian mbetet e lartë dhe lidhet kryesisht me pritshmeritë për rritje dhe mundësi ekonomike.
NDI thekson se, kishte një mbështetje në parim për reformën administrative vendore të ndërmarrë nga qeveria, por pjesëmarrësit ndiheshin të paqartë rreth përmbajtjes specifike të paketës së reformës. Sipas NDI, vërehet një irritim i dukshëm me sulmet përçmuese të politikanëve ndaj kundërshtarëve politikë, i cili vijon nga gjetjet e hulumtimeve të dy viteve të shkuara. Pjesëmarrësit gjithashtu kritikuan atë çfarë ata shohin si paaftësi e politikanëve për të vënë në jetë premtimet. Pjesëmarrësit në grupet e fokusuara mirëpresin pjesëmarrjen e grave në politikë. Ata I shohin gratë e zgjedhura si të gatshme për t’ju përgjigjur interesave të publikut dhe si zëra më konstruktivë në dialogun politik. “Pjesëmarrësit në diskutime janë kryesisht të kënaqur nga iniciativat e fundit e qeverisë për të ndalur humbjet në sektorin e energjisë, prishjen e ndërtimeve pa leje dhe mbylljen e universiteteve private që shiheshin si shitës diplomash. Në të njëjtën kohë, shqetësimet e thella rreth ekonomisë, kohezionit social, dhe perspektivës së qytetarëve rreth të ardhmes së tyre dhe asaj të familjes i vënë në plan të dytë këto këndvështrime pozitive”, thotë Drejtoresha e NDI në Shqipëri, Ana Kadoviç. 10 grupe të fokusuara u zhvilluan në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Fier dhe Korçë. Hulumtimi përmes grupeve të fokusuara u zhvillua në partneritet me IDRA Research & Consulting dhe u financua nga Ndihma Amerikane për Demokraci (NED). Gjetjet e grupeve të fokusuara janë tregues i mendimit public, por nuk reflektojnë opinionin publik në mënyrë statistikore.