I arrestuar nga SPAK, arratiset nga spitali i Durrësit i burgosuri me rrezikshmëri të lartë
Mesditën e sotme, i burgosuri A. Ndoci, i shtruar në pavijonin e infektivit në spitalin e Durrësit për probleme shëndetësore, është arratisur.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar Drejtoria e Burgjeve, e cila në një njoftim për mediat thotë:
“i paraburgosuri A. Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali.
Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”.
Ndërkohë, bëhet me dije se policia ka ngritur postblloqe, në mënyrë të tillë që të bëjë të mundur kapjen e tij. Po ashtu po vëzhgohen të gjitha kamerat e sigurisë në spital, por dhe përgjatë rrugëve.
Ndoci është arrestuar si pjesë e operacionit “Plumbi i Artë” dhe konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi akuzohet se ka marrë pjesë në masakrën e Bradasheshit, ku mbetën të vrarë tre persona.
KOHA JONË SONDAZH

