I bëri ftesë Bashës, PD: Përgjigja e Nikollës, arrogante dhe dëshmi e injorancës
Deputeti njehërësh dhe kreu i Departamentit për Arsinmin në Partinë Demokratike, Luçiano Boçi ka reaguar lidhur me shpërndarjen e teksteve shkolle për arsimin e detyrueshëm. Ai theksoi se për shpërndarjen e librave bëhet është një sistem klientelist.
Mes të tjerash ai akuzoi ministren Lindita Nikolla për faktin se përgjigja e saj për shqetësimin e PD-së ishte jo vetëm arrogante, por edhe dëshmi e injorancës.
REAGIMI I BOÇIT
Partia Demokratike ka përcjellë këto ditë shqetësimin e mijëra familjeve, veçanërisht atyre me të ardhura të pakta, për çmimet e rritura të teksteve shkollore të arsimit të detyrueshëm dhe sistemin klientelist të shpërndarjes së tyre. Përgjigjja e Ministres së Arsimit Nikolla për këtë shqetësim ishte jo vetëm arrogante, por edhe dëshmi e injorancës së saj mbi përgjegjësinë e detyrës që ushtron.
Të gjitha procedurat e hartimit, shpërndarjes dhe vendosjes së çmimit për tekstet shkollore edhe këtë vit si çdo vit tjetër janë kryer nga Ministrja Nikolla. Për shkak të indiferencës së saj ndaj interesit publik e paaftësisë së saj dhe stafit të saj, të gjitha këto procedura janë bërë me vonesë dhe në mënyrë amatore, çfarë ka sjellë mungesë tekstesh, sistem klientelist shpërndarjeje me pak pika, çmime të rritura, dhe në shumë raste tekste me cilësi të dobët.
Qëndrimi ynë për këtë çështje është i thjeshtë: prioriteti i qeverisë duhet të jetë mbështetja e arsimit fillor, duke ofruar falas tekstet shkollore. Qëndrimi i ministres dhe shefit të saj ka qënë po ashtu i qartë: prioriteti kanë qënë rindërtimi i fasadës së ministrisë dhe blerja e kolltuqeve luksoze për zyra, për të cilat kanë harxhuar miliona euro.
Nëse, siç shprehet, Ministrja është e gatshme të përmirësohet, le ta fillojë reflektimin duke lënë kolltukun e zyrës për të takuar prindërit. I gjen ata në rradhët e gjatë, në mes të vapës, duke harxhuar kursimet e mbledhura me mund për diçka që duhet të ishte falas.
E ardhmja e vendit kërkon që qeveria të ketë prioritet librin dhe jo kolltukun. Hapi i parë për këtë gjë është propozimi ynë për tekste falas për të gjithë fëmijët në arsimin e detyrueshëm.