I riu kërcënon të djegë kutitë e votimit në Libofshë, momenti kur shfaqet me shishe me lëndë djegëse në dorë
Një ngjarje e rëndë raportohet nga Fieri, në përmbyllje të procesit të votimit. Gazetari Ervis Kuçi raporton për “BalkanWeb” se një i ri është shfaqur me një shishe me lëndë djegëse në dorë, në momentin që kanë qenë duke dalë kutitë e votimit nga qendrat e votimit, duke bërë thirrje se do t’i djegë.
Ngjarja ka ndodhur në Njësinë Administrative Libofshë, ku i riu është shoqëruar menjëherë nga policia. Gazetari Kuçi sjell fotot e të riut me shishe në dorë në redaksinë e “BalkanWeb”, ndërsa thekson se ai nuk e ka hedhur shishen.
Ai ka qëndruar me shishen e ndezur në dorë përpara portës së mjediseve të qendrave të votimit, por policia që ndodhej në këto mjedise për mbarëvajtjen e procesit, ka ndërhyrë menjëherë, duke e ndaluar dhe shoqëruar në ambientet e komisariatit.