Identitet fetar, por pa korniza ideologjike…

Nga Gëzim Tushi/Duhet apo nuk duhet feja, besimi dhe institucionet fetare, i shërbejnë apo e dëmtojnë shoqërinë shqiptare, janë bërë tema bisedash që kanë marrë peshë sociale në debatet personale e publike kohët e fundit. Kjo situatë ka mbase ca arsye me natyrë gjeopolitike dhe është e ndikuar nga zhvillimet socio-politike që zhvillohen përtej nesh, që kanë bërë që të intensifikohet diskutimi sociologjik dhe privat për marrëdhëniet e reja të njeriut tonë fenë dhe rolin e saj në shoqëri.

Herë hapur e herë në surdinë ndikimi i këtij debati është bërë pjesë e jetës pluraliste të shqiptarëve dhe tashmë ajo nuk mund të shmanget. Sidomos tani që gradualisht kultura fetare do të institucionalizohet edhe si lëndë në shkollë, është e sigurt që sfera e besimeve pluraliste në shoqërisë tonë demokratike ka shansin të jetë e plotë dhe plotësisht e lirë.

Problemi i qëndrimit ndaj fesë dhe modalitetet e lira të ndërtimit të marrëdhënieve të shoqërisë me të dhe institucionet fetare të ndërtuara krejtësisht në mënyrë ligjore, janë tregues shumë të sigurt, që pavarësisht të metave të tjera me natyrë politike, ekonomike e sociale, ne jetojmë në demokraci. Askush me mend në kokë nuk ka dyshim, për ndryshimin e thellë që kanë pësuar raportet shpirtërore e botëkuptimore të qytetarit me besimet dhe ideologjitë e mëdha. Megjithatë kur diskutojmë për këtë problem (raportet e individit dhe shoqërisë me fenë), është e domosdoshme të mbahet parasysh fakti, që në asnjë rast kjo lidhje nuk mund të jetë me natyrë ideologjike. Këtij rreziku të mundshëm të ideologjizimit të besimit dhe shfaqjeve të përkatësisë fetare, nuk mund të bëjmë sikur nuk e kuptojmë apo të mbyllim sytë si struci. Edhe pse tani në shoqërinë tonë janë të gjitha kushtet e duhura, që për shkak të ndikimeve që ka sjellë koha postmoderne, është krijuar situate e përgjithshme e shfaqjes së kohës së duhur kur shumica e njerëzve kanë vënë në dyshim të shumë prej sistemeve që konsiderohen subjektivisht të besuara.

Në këtë kontekst është arritje e madhe sociale që në shoqërinë tonë besimet e njerëzve janë bërë dhe duhet të jenë krejtësisht të lira dhe të personalizuara. Në këtë kontekst duhen mbajtur të deideologjizuara raportet sociale dhe individuale të njerëzve tanë me fenë, institucionet dhe besimin fetar. Të cilat nga ana e tyre nuk duhet të bëjnë asnjë tentativë për të ideologjizuar veten dhe ndikimet mbi njerëzit tanë. Për fatin e mirë të shoqërisë tonë ringjallja dhe rivitalizimi i lirë i besimit fetar e shpirtëror, është bërë dhe vazhdon të zhvillohet në një klimë social kulturore dhe psikologjike të favorshme. E cila është e barabartë për të gjithë besimet e mëdha. Kjo është një gjë shumë pozitive dhe zhvillimet deri tani janë në rrugë të mbarë. Kjo është mundësi e mirë sociale që përpjekjet e njerëzve për të pasur besim dhe identitet fetar të caktuar, të mos sjellin asnjë shqetësim për unitetin e përgjithshëm të shoqërisë tonë.

Padyshim në duhet të jemi krenarë si komb që situata e bashkëjetesës fetare harmonike midis besimeve të ndryshme fetare konsiderohet edhe nga të huajt si një pasuri e madhe kombëtare për ne shqiptarët, madje konsiderohet si një precedent e paradigmë me vlera sociale universale. Por megjithatë duhet pranuar se në kohën e sotme çështjet e përmbajtjes dhe formimit të identitetit fetar të njeriut me siguri që në të ardhmen mund të bëhet një nga çështjet thelbësore të shoqërisë shqiptare me natyrë liberale, të personalitetit të njeriut individualist e fetar me “besime të personalizuara”.

Në këto rrethana, duke analizuar fenomenologjinë e lidhjeve të njeriut me besimin fetar, duket qartë se në shoqërinë moderne shqiptare gjërat kanë ndryshuar tipologjinë e tyre. Periudha  e demokracisë në vendin tonë përveç të tjerave, duket se është fillimi i një epoke të re, në të cilën spikat tendenca e njerëzve për të pasur identitet fetar. Personalisht më duket se në shumë raste kam parë njerëz që për të siguruar ndoshta edhe si kompensim të mungesës së identitetit ideologjik, kanë dëshirë të kenë korniza të qarta të “identitet fetar”.

Padyshim është gjë e mirë që besimet fetare në jetën e përbashkët pluraliste kanë marrë peshë të rëndësishme në jetën tonë sociale, jo vetëm në aspektin shpirtëror dhe individual. Sidoqoftë duhet vlerësuar pozitivisht fakti që shqiptarët pas një periudhe të unitetit të përbashkët të imponuar ideologjik, janë në fazën e të drejtës së tyre të lirë  për pasur “identitete të reja”. Por kjo epërsi duhet vlerësuar në mënyrë komplekse dhe kontekstuale, duke e parë në raport me nivelin e zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë shqiptare. Sepse shpesh herë ka filluar të duken shenjat e një fenomeni të ideologjizimit të besimit. Në të vërtetë ka gjasa që ndjenja e natyrshme e njeriut për identitet fetar, nuk është aq shumë personaliste apo thjesht përpjekje e vetmuar për të siguruar identitet individual, se sa për të gjetur edhe një identitet shpirtëror më të gjerë social.

Deri këtu gjithçka është e qartë dhe me vlerë pozitive. Ajo që duket është se tani ka një tendencë frenetike për të bërë me çdo kusht çdo njeri qoftë për modë, besim apo ndjenjë sigurie me “identitet të caktuar fetar”. Mirëpo për të qenë deri në fund të vërtetë, duhet pohuar dhe pranuar, se historikisht betejat për “dallim” dhe lufta për “identitet” nuk është kurë “luftë neutrale” apo veprim social i njeriut thjesht për t’u shfaqur apo dukur. Sepse siç thotë sociologu frëng Dominique Vvolton “Identiteti ndërtohet për të kundërshtuar”. D. Vvolton, “Të shpëtojmë komunikimin” f. 140

Padyshim që koha moderne në Shqipëri i ka vënë besimet fetare në një platformë të re ekzistenciale, të cilën edhe fetë janë të detyruara ta konceptojnë në mënyrë moderne marrëdhëniet e tyre me qytetarin besimtar apo laik. Sepse brenda kësaj shoqërie dhe kohe sociale të përbashkët, jemi të detyruar të jetojmë të gjithë: besimtarë dhe laikë, fetarë dhe shekullarë. Nganjëherë duke parë si shfaqen disa vlera, qëndrime dhe praktika të të caktuara fetare, më duket sikur nuk reflektohen sa duhet imperativat dhe ndryshimet e kohës me të njëjtën shpejtësi në politikat dhe praktikat fetare.

Kalimi për dy dekada nga “shoqëria e mbyllur”, e mësuar të merrte frymë në mënyrë dogmatike, e bazuar në parime dhe perceptime doktrinariste dhe sloganiste në një shoqëri të hapur, nuk do të thotë  se feja nuk e ka rolin e saj shpirtëror, të padiskutueshëm ekzistencialist. Por natyrisht për shkak të imperativave të kohës që jetojmë, edhe besimi fetar është e detyruar të jetë i rivendosur në një raport të ndryshuar me njeriun, që tashmë është qytetar I vendosur në një pozicion të ri social. Kështu që ndryshimi në një farë mënyre i identitetit klasik (jo i thelbit të doktrinës) është një reflektim imperativ i saj, është një reflektim bashkëkohor, reagim autentik që duhet vlerësuar, në mënyrë që besimi fetar të ketë më shumë vlerë sociale dhe që besimtarët e çdo orientimi fetar të mos reduktohen në sekt të ngushtë ideologjik, apo ca më keq që institucionet fetare të bëhen vend për njerëz me horizont mendjengushtë.

Kjo do të thotë që institucionet fetare dhe liderët e tyre të nderuar në Shqipëri duhet që në mënyrë më të hapur, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë të punojnë për ta pasur të vërtetë dhe pa alambikime idenë e “bashkëjetesës fetare” në shoqërinë shqiptare. Por që të realizohet kjo do të thotë se secila prej tyre duhet ta shikojë ndryshe idenë frenetike që kanë fetë, për të mos e parë identitetin fetar si mjet për rivalitet.

Unë e kam parë vetë që nuanca të tilla të rivalitetit, janë të dukshme edhe pse jo të shfaqura në mënyrë institucionale. Situata pozitive nuk duhet të na vetëkënaqë sepse jetojmë në kohë moderne dhe duhet shumë kujdes me “fillimet”. Ato duhen kundërshtuar në kohë, në mënyrë që terreni i rivalitetit të heshtur dhe të panevojshëm të “kufizohet” në limitet e modernitetit, si kusht për të shmangur të këqijat sociale që mund të vijnë nesër. Në këtë kontekst, institucionet fetare mund dhe duhet të bëjnë më shumë dhe t’i shërbejnë më hapur idesë së “bashkëjetesës”, duke e zbutur sa më shumë të jetë e mundur idenë e rivaliteteve qoftë edhe të heshtura.

Padyshim në shoqërinë tonë është gjithashtu një nga pikat e vështira, çështja e harmonisë dhe bashkëjetesës midis laicitetit të përgjithshëm të jetës sociale dhe asaj të drejtës integrale të asaj pjese të shoqërisë që është pjesë e botës së besimit fetar. Në të vërtetë nuk është e vërtetë se ka kontradikta midis karakterit laik të shoqërisë dhe pjesës njerëzve besimtarë dhe fetarë. Përkundrazi koha me siguri do sjellë nevojën që në shoqërinë tonë të ndërtohen raporte të reja, marrëdhënie më “dialektike” midis laikes dhe fetares duke qenë përtej ideologjikes. Ky mbetet është kusht kryesor për komunikimin dhe respektin reciprok midis feve në Shqipëri. Sociologët e jetës moderne dhe të marrëdhënieve midis fesë dhe shoqërisë laike janë të mendimit, se pikërisht laiciteti “…mundëson bashkëjetesën midis feve, ndan pushtetin politik nga ai fetar dhe kërkon tolerancën midis feve”.

Madje laiciteti konsiderohet si kusht për krijimin e atmosferës së komunikimeve të njerëzve me besime të ndryshme fetare, sepse laiciteti në shoqërinë tonë asnjëherë nuk mund të jetë “laicitet lufte” por “laicitet tolerance”, kusht thelbësor për bashkëjetesën e tyre paqësore. Kjo do të thotë që është koha e duhur që të tregojmë kujdes të veçantë, që në shoqërinë tonë secili identitetin fetar ta ruajë brenda vetes, dhe të mos përzihet dhe të ndërhyjë në identitetet e tjera të shumta të njeriut që janë të lidhura me jetën e tij politike, sociale, gjuhësore, etnike dhe kulturore.

Natyrisht ne kemi bërë një kalim të madh historik, në përmasa epokale nga e kaluara e “shkretëtirës ateiste” të periudhës së komunizmit, drejt një shoqërie me “laicitet të ri” modern, në të cilën janë të qarta raportet, marrëdhëniet, kufijtë e laikes dhe fetares të cilat kanë nevojë për bashkëjetesë miqësore dhe jo luftarake. Në se ka gjëra që duhen vlerësuar si vlera sociale madhore, është padyshim fakti që ne shqiptarët jetojmë në një shoqëri e cila deri tani është e formatuar pa pleksur “territoret” e fesë, jetës sociale, fushës kulturore dhe politikës. Kjo do të thotë se në shoqërinë tonë laike, feja nuk mund të vendoset në qendër të jetës, ca më pak të bëhet sfiduese e fushave dhe identiteteve të tjera kulturore, politike dhe sociale. Në se ndodh e kundërta, që feja vendoset në qendër të shoqërisë dhe rivalitetet fetare marrin karakter social, atëherë është fillimi i një situate konfliktualiteti që askush nuk e dëshiron…

SHKARKO APP