Idrizi: Fitorja e PDIU-së nis nga Fieri, vazhdon në gjashtë qytete të tjera

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar një takim në Fier për zgjedhjet e 25 qershorit. Në këtë takim ishte i pranishëm kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, si dhe kandidatët për deputet në këtë qark, ku lista kryesohet nga Nustret Avdulla.

Shpëtim Idrizi u shpreh se fitorja e PDIU-së nis nga Fieri dhe do të vazhdojë në të gjithë Shqipërinë.

“Nga Fieri nis fitorja e madhe e PDIU-së, që do të vazhdojë në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë, Korçë dhe kudo ku ka shqiptarë patriotë që mendojnë si ne, që kemi “Veç një Atdhe”. Unë sot dua t’i drejtohem të gjithë atyre shqiptarëve që duan t’ju marrin identitetin, i drejtohem të gjithë atyre shqiptarëve të varfër që sot po ju vijnë në derë për t’ju dhënë para apo një thes miell. Mos e shisni të ardhmen tek këto lloj partish apo politikanësh. Unë i kërkoj të gjithë atyre që vijnë nëpër biznese për t’u bërë presion, refuzojeni atë sepse ju nuk jetoni nga politika apo nga presionet, por jetoni nga puna e ndershme. Më duhet që t’i drejtohem të gjithë shqiptarëve, votoni ata që ju thërrasin me zemër, që ju drejtohen me shpirt, që kanë zemër për t’ju dëgjuar dhe kanë zemër për t’u bërë bashkë me ju, për t’i dhënë shpresë këtij vendi të mrekullueshëm. Prandaj ju ftoj të votoni PDIU-në, një parti e hapur për të gjithë shqiptarët nga Tropoja në Konispol, për këdo ku rreh zemër shqiptari. Votoni për numrin 13-të, e në mënyrë të veçantë votoni për Nustret Avdullain”, – tha kryetari i PDIU-së.

Z.Idrizi u shpreh se grupi parlamentar i PDIU-së në katër vitet e ardhshme do të ndërkombëtarizojë dhe do t’i japi zgjidhje minimalisht çështjes ligjore të pronave të shqiptarëve të Çamërisë.

“Dua sot t’i drejtohem jo vetëm shqiptarëve të Çamërisë, që për më shumë se 20 vjet ja kemi lënë në duar politikës shqiptare, na ka përdorur si rezervuar votash deri sa ne krijuam partinë tonë që është shtëpia e çdo shqiptari nga Preveza deri në Mollën e Kuqe. E këtu ne nuk do të kemi frikë për të plotësuar identitetin tonë kombëtar. Ne nuk po flasim për ndryshim kufijsh, por aty ku ka shqiptarë ka histori shqiptare, është pjesë e identitetit tonë kombëtar të cilin do ta ruajmë sepse na përket neve shqiptarëve që mendojmë që kemi “Veç një Atdhe”. Ne e kemi marrë çështjen e shqiptarëve të Çamërisë e kemi bërë pjesë të politikës shqiptare, e kemi bërë pjesë të diplomacisë shqiptare, e kemi bërë pjesë të Brukselit zyrtar. E tani kemi luftuar me paradigmën e stigmatizimit. E kemi marrë mitin e Sizifit në krahë e kemi çuar në majë të malit. E tani miqtë e mi unë ju them që grupi parlamentar i PDIU-së në katër vitet e ardhshme do të ndërkombëtarizojë dhe do t’i japi zgjidhje minimalisht çështjes ligjore të pronave. Megjithëse unë e di që çështja e shqiptarëve të Çamërisë nuk është çështje pronash, por është çështje vatani dhe ne do t’i shkojmë deri në fund drejtësisë europiane për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë”,- tha Shpëtim Idrizi gjatë takimit me qytetarë të Fierit.

Z.Idrizi theksoi se shqiptarët duhet të bashkohen rreth përkatësisë, rreth identitetit kombëtar, që fillon nga gjuha dhe nga Atdheu.

“Është nga fushatat më të bukura që kemi bërë sepse ne i kemi folur njerëzve me zemër në dorë, i kemi dëgjuar ata. I kemi dëgjuar sepse deri më sot ne kemi parë që politika ka qenë e shurdhët për ta. I kemi dëgjuar për hallet dhe problemet dhe i kemi folur me zemër në dorë për të gjitha problematikat që ata kanë. Sigurisht që kemi ndjerë që shqiptarët i ka ndarë varfëria, papunësia, padrejtësia e shumë gjëra të tjera. Por ne mendojmë miqtë e mi që të gjithë si shqiptarë duhet të bashkohemi rreth përkatësisë tonë, rreth identitetit tonë kombëtar, që fillon nga gjuha, nga Atdheu, nga kombi, nga ajo që neve na bën të përbashkët si shqiptarë, e që na jep moton tonë që ne kemi “Veç një Atdhe””,- u shpreh kryetari i Partisë Drejtësi, Inttegrim dhe Unitet.

Ndërsa kryesuesi i listës për deputet në qarkun e Fierit, Nustret Avdulla, tha se: PDIU në Fier do të dalë me dy mandate deputetësh. Nga takimet e përditshme me qytetarë të Fierit, Lushnjës, Mallakastrës dhe të gjithë zonave të tjera, kemi kuptuar se tashmë PDIU-së i janë bashkuar mijëra qytetarë. Ju bëj apel që të votoni PDIU-në, votoni nr.13, sepse ne kemi “Veç një Atdhe”.

SHKARKO APP