Ilir Meta fillon e mbjellë fidanë pemësh

 

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, mori pjesë në mbjelljen e fidanëve të rinj të kompanisë “Besa Agro Invest”, në Fushë Krujë, një fermë moderne e cila e zhvillon aktivitetin saj në fushën e bujqësisë.

Kryetari i Kuvendit shoqërohej në këtë vizitë nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti si dhe drejtues vendorë.

Kryetari i Kuvendit u njoh më nga afër me procesin e mbjelljes së fidanëve të rinj dhe me kushtet e punës, ku në të ardhmen numri i të punësuarve do të shkojë në 500.

Në fjalën e tij, z. Ilir Meta tha se investime të tilla krijojnë kushte për punësim në kushte shumë të mira, duke krijuar të ardhura të qëndrueshme dhe të përhershme për familjet e banorëve të zonës.

“Unë jam shumë i lumtur që kthehem këtu së bashku me Ministrin e Bujqësisë, z. Panariti pas më pak se katër muajsh për të qenë dëshmitarë të fuqisë reale, konkrete dhe të shpejtë transformuese të partneritetit publik-privat, në mënyrë të veçantë në fushën e bujqësisë, ku tashmë në më pak se katër muaj, jo vetëm po përfundon mbjellja e mëse 28 hektarëve me pemë frutore, me fidanë të certifikuar të standardeve evropiane, por njëkohësisht ku dhe shumë shpejt do të fillojë edhe investimi për ndërtimin e serave për prodhimin e perimeve, investime këto bazuar në teknologjinë më të avancuar, me një ekspertizë të niveleve më të larta. Aktualisht janë futur 50 banorë të zonës në punë , ndërkohë që deri në fund të këtij gjashtëmujori pritet të hyjnë në punë edhe 200 të tjerë dhe në fund të këtij investimi do të futen në punë edhe 500 banorë të kësaj zone që do të punësohen në kushte shumë të mira, duke krijuar të ardhura të qëndrueshme dhe të përhershme për familjet e tyre”, theksoi z. Meta.

Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit theksoi se është shumë e rëndësishme që shumë investitorë të tjerë, të cilët në mënyrë të veçantë janë marrë më ndërtimin, të orientohen më shpejt nga bujqësia, sepse kthyeshmëria e investimit është shumë e shpejtë. “Jo vetëm kaq, por sepse interesi i fitimit është shumë i lartë dhe unë jam i bindur që Qeveria, që Ministria e Bujqësisë do të mbështesin akoma më tej dhe shumë iniciativa të tjera, të cilat shprehin fuqinë e partneritet publik-privat në vendin tonë, pasi kjo është rruga e rritjes ekonomike për vendin, kjo është rruga e punësimit, kjo është rruga për ta shndërruar ekonominë tonë jo vetëm në një ekonomi të shërbimeve apo konsumit, por në mënyrë të veçantë në një ekonomi të prodhimit dhe në një ekonomi të eksporteve”, theksoi z. Meta teksa shtoi se rruga e integrimit evropian fillon që nga fidanët e certifikuar që janë të standardeve evropiane dhe që janë garancia më e mirë për eksportin e tyre nesër në tregjet më shtrenjta dhe më me leverdi evropiane për prodhuesit tanë.

“Ne do të mbështesim akoma më shumë sektorin e bujqësisë dhe të ushqimit. Paketa e cila u miratua dhe që tashmë ka hyrë në fuqi duhet shpjeguar akoma më mirë të gjithë prodhuesve, të gjithë fermerëve, të gjithë investitorëve në këtë fushë. Duhet shfrytëzuar akoma më mirë dhe jam i bindur që me këtë mënyrë ne do t’i japim një hov të shpejtë cilësor bujqësisë dhe ajo që po ndodh këtu po ndodh edhe në shumë aktivitetet të tjera anembanë vendit, pasi të gjithë jemi të bindur, jemi të ndërgjegjësuar se vetëm puna, prodhimi dhe standardet më të larta do të bëjnë të mundur që djersa dhe mundi i shqiptarëve të kurorëzohet me sukses dhe të jetë një burim i qëndrueshëm dhe i përhershëm i rritjes së të ardhurave të tyre personale dhe familjare”, deklaroi në prononcimin e tij për median, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti tha se Fondacioni “Besa” tashmë ka filluar në shkalla të gjerë të materializojë një investim i cili do të shkojë në një vlerë totale prej 20 milionë eurosh dhe me një sipërfaqe prej 80 hektarësh.

“Praktikisht ambicia është shumë e madhe për të krijuar një tipologji prodhimi që ndërthur në vetvete pemishte, frutikulturën, zhvillimin e blegtorisë dhe serat. Aktualisht ka filluar puna në një investim që shkon në rreth 1 milionë euro dhe në këto momente 50 vetë janë të punuar, por ambicia është që në përfundim të këtij investimi, në krye të pesë viteve punësimi të shkojë në 500 veta. Siç thashë ky është një shembull suksesi që dëshmon që ne jemi të vendosur për të ecur me vendosmëri në partneritetin publik dhe privat për arsye se kjo është rruga për të tërhequr më shumë investime në bujqësi të cilat nuk vijnë thjesht nga Buxheti i Shtetit, por vijnë edhe nga iniciativa e guximshme e shumë investitorëve. Fondacioni “Besa” është një shembull i shkëlqyer i partneritetit dhe unë jam i vendosur të inkurajoj iniciativa të tilla në këtë drejtim”, theksoi z. Panariti duke shtuar se ky investim shumë i rëndësishëm shënon një epokë të re për bujqësinë shqiptare.

 

 

 

 

 

 

SHKARKO APP