Ilir Meta, një armik që na duhet
Nga Andi Bushati
Sa më shumë që po luftohet nga Edi Rama, aq më tepër Ilir Meta po mbështetet tek i vetmi aleat që i ka mbetur: mbrojtja e interesit publik. Këtë ka bërë edhe sot nga zyra e Presidentit prej nga ka kthyer mbrapsht ndryshimet e kuvendit në ligjin për koncesionet dhe PPP.
Le të jemi të qartë, me kompetencat që ka, kreu i shtetit as nuk e frenon dot grykësinë, as nuk e ndal paskrupulltësinë e rilindësve. Ai vetëm mund të përdori të gjitha mjetet që ka në dorë, për ta bërë sa më ulëritëse atë.
Kështu ka ndodhur edhe me mosdekretimin e dy neneve (17 dhe 18) që mëtonin të shtynin ende në kohë efektet shkatërruese të ligjit të mësipërm dhe më konkretisht mundësinë për të marë para publike përmes ofertave të pakërkuara (më shumë detaje tek shkrimi këtu poshtë).
Të ndodhur nën presion të madh ndërkombëtar, se po shkatërrojnë buxhetin dhe po thellojnë borxhin, rilindasit u zotuan që vitin e shkuar se do i thonë stop shpërndarjes së milionave me oferta të pakërkuara. Rasti më flagrant i kësaj praktike ishte marëveshja mes Edi Ramës dhe kompanisë Fusha për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ngritjes së gjashtë grataçielave me një fitim 200 milionë eurosh. Ashtu sikurse treguan investigimet për këtë aferë (kryeministri me arkitektin Bjarke Ingels e kishin bërë shumë më parë planin –që në vitin 2016- sesa Shkëlqim Demir Fusha të dorëzonte ofertën e tij të pakërkuar- në 2017 / Pika 3, 5, 11 e shkrimit poshtë), ky lloj ofertimi, nismëtari i të cilit fitonte edhe pikë më shumë sesa konkurentët e mundshëm në garë, rezultoi një hedhje hi syve për të shpërndarë para pa konkurencë.
Pikërisht për këtë ndërkombëtarët e fshikulluan dhe pikërisht se i doli boja keq, qeveria Rama u zotua ta kufizojë atë.
Oferta e pakërkuar do përdorej këtej e tutje vetëm për ndërtimet në porte dhe aeroporte dhe bonusi për të do të hiqej.
Por, megjithëse e kishin gati që në janar, socialistëve nuk u bënte zemra ta kalonin këtë ndryshim. Ata e zvarritën dhe sorollatën për katër muaj, deri sa vendosën t’a votonin në parlament në 17 korrik.
Por sërish edhe këtu e gjetën një kleçkë.
Një ditë përpara miratimit, shtuan amendamentet e neneve 17 dhe 18, për ta shtyrë edhe tre muaj këtë praktikë të dyshimtë. Qëllimi ishte i qartë: nga njëra anë i thonin ndërkombëtarëve se porosinë tuaj po e zbatojmë, nga ana tjetër shfrytëzonin çdo ditë që u jepej për të bërë para.
Kështu vepruan dhe pikërisht këtë kohëzgjatje absurde nuk ka pranuar të dekretojë Ilir Meta. Ai ka argumentuar se parlamenti ka votuar ndryshime që lënë vend për abuzime.
Ashtu sikurse thamë, ai nuk ka fuqi ti ndalojë ato. Parlamenti që tashmë është me pushime do të marrë kohë ti rivotojë sërish ndryshimet dhe afati i hyrjes së tyre në fuqi do të jetë pak a shumë i njëjtë. Qeveria Rama do të ketë mundësi për rumpallë me oferta të pakërkuara, përsëri, deri në tetor.
Por, pavarësisht se nuk e pengon dot babëzinë, hapi që hodhi Meta është i vlefshëm për tjetër gjë: sepse duke mos e dekretuar, ai po e vë më në dukje anën e errët të këtij ndryshimi.
Në këtë kuptim, ai po ndjek të njëjtën rrugë, sikurse bëri me kthimin pas të ligjit për teatrin, apo me atë për përgjysmimin e dividentit.
Ilir Meta është shndërruar në të vetmin politikan, që nuk po e godet lidhjen Rama – oligarkë vetëm me fjalë, por edhe me akte.
E këtu, në paradoks me mendimin që shumëkush ka për të, ai po i shërben publikut. Pak rëndësi ka nëse këtë po e bën me bindje, apo për shkak të konfliktit politik armiqësor ku është ngërthyer. Edhe kjo e dyta në qoftë, Ilir Meta është një armik që na duhet. Një gur më shumë në barikadën ndaj makutërisë së Ramës dhe dhjetë klientëve të tij. /Lapsi.al