Im at Sali Kelmendi

IN MEMORIAM

Nga Rilind Kelmendi

Po mendoja për qytetarinë si dhe bukurinë fizike dhe shpirtërore të tim eti dhe po ndieja një krenari tëpër të madhe që e kam patur baba. Po mendoja për thjeshtësinë e tij tepër të madhe, që na i përçoi edhe neve. Po mendoja se si na mësoi të dëgjonim hallet e njerëzve, kur i hasnim çdo ditë duke dalë nga shtëpia për në shkollë. Rradhët e panumërta të njerëzve plot halle të asaj periudhe, që qëndronin përgjatë gjithë shkallëve të pallatit, ishin bërë pjesë e jetës sonë të përditshme. Po mendoja për forcën e madhe që pati për të mbajtur mbi supe ardhjen e një pjese të madhe të banorëve të pashpresë të Shqipërisë plot probleme, në Tiranën tonë të dashur. Po mendoja për forcën e madhe që pati për të përballuar dhe zgjidhur problemin e ushtrisë së të papunëve të Tiranës, si rezultat i mbylljes pa kushte të fabrikave dhe uzinave të Tiranës dhe rrethinave të saj.

Po mendoja për brezat e tërë të shkollës “Petro Nini Luarasi”, që më ndalojnë në rrugë duke shprehur konsiderata të panumërta për profesorin e tyre të dashur Sali Kelmendi dhe kjo më jep forcë dhe krenari. Po mendoja për kolegët e tij, nga veriu në jug, gjatë periudhës kur punonte në Ministrinë e Arsimit si dhe konsideratat që shprehin për të. Po mendoja për punën e palodhshme për arsimin para dhe pas vitit 1990. Ti ishe i thjeshtë, i bukur, i dashur. Ti i doje njerëzit dhe u mundove që çdo njeri në këtë qytet të kishte një mundësi sado të vogël për të ecur përpara. U largove shumë shpejt nga kjo jetë, kishe akoma ide dhe energji për të transmetuar, jo në mënyre pompoze, por ashtu siç doje ti, midis njerëzve të thjeshtë dhe nëpërmjet librave që shkruaje me pasionin që të karakterizonte. U votove masivisht nga qytetaria e Tiranës. U votove masivisht nga familjet e Tiranës së re, që pavarësisht bindjes së tyre politike, votuan Profesor Salën, “reçelin me arra”, siç të quajti një ish-nxënësja jote.

Ti dhe maksimumin tënd, ishe një antikonformist i pandreqshëm. Do më mungojnë historitë e tua për dyqanin e luleve tek fillimi i Rrugës së Dibrës, do më mungojë përshkrimi i emocioneve që përjetoje kur dëgjoje radion e famshme Luxembourg. Dashurinë për muzikën e vërtetë e kam dhuratë nga ty.  Ti ishe një qytetar i vërtetë, mishërimi i butësisë tiranase dhe i fisnikërisë kosovare. Shtëpia jonë sot ndihet bosh pa ty. Tiranës do t'i mungojë flokëbardhi plot ëmbëlsi. Do na mungojnë diskutimet e tua plot pasion, idetë që jepje, përjetimet që kishe për vendin tonë. Do të më mungojë kërcimi i fundit twist që bëmë bashkë. Do të më mungojë mëngjesi, kur më bëje gati biçikletën. Do të më mungojë buzëqeshja jote pasi kthehesha nga puna, që më bënte të harroja çdo gjë stresuese të këtij realiteti absurd. Ti nuk je vetëm babai im, ti je idhulli im, ti je frymëzuesi im. Me ke bërë dhuratë dashurinë për thjeshtësinë, dashurinë për vendin, pavarësisht çdo gjëje. Sot Tirana nuk ka më diamantin e saj dhe shkëlqimin e tij të bukur.

SHKARKO APP