Impakti i holokaustit në brezat e ardhshëm

Nga Blendi Klosi*

Dita e Përkujtimit të viktimave të Holokaustit, e futur tashmë edhe në axhendën e ditëve përkujtimore të MMSR-së, kërkon që çdo komb anëtar i OKB-së të nderojë kujtimin e viktimave të holokaustit, duke na inkurajuar zhvillimin e programeve arsimore në lidhje me historinë e holokaustit, për të ndihmuar në parandalimin e akteve të genocidit në të ardhmen.

Kjo ditë na kujton se nuk duhet të mohojmë holokaustin si ngjarje, dhe dënon të gjitha manifestimet që nxisin intolerancës fetare, ngacmimin apo dhunën kundër personave apo komunitete në bazë të origjinës etnike apo besimit fetar. Ishim ndër të paktët – për të mos thënë i vetmi – vend i pushtuar nga shkaktarët e holokaustit që strehuam e mikpritëm qindra e mijëra hebrenj, të cilët i pajisëm edhe me pasaporta shqiptare. (Përmendim rastin e Albert Ainshtajnit, i cili u largua drejt Amerikës me një pasaportë shqiptare)  Treguam edhe njëherë se nuk ishim kurrsesi të zotë për të shprehur urrejtje apo diskriminim kundër judenjve.

Ne jemi së bashku sot këtu për të kujtuar se duhet të jemi aktivë në ruajtjen e kujtesës historike, si kampet naziste të vdekjes, kampet e përqendrimit, kampet e punës së detyruar dhe burgje. Përkujtimi i kësaj dite lidhet natyrshëm edhe me krimet e kryera nga sistemet e tjera totalitare. Ne vijmë nga një e kaluar, të cilën e dënojmë plotësisht nëpërmjet përkujtimit të ditëve të tilla, por edhe nëpërmjet përfshirjes në programe të përbashkëta europiane që mundësojnë qasjen dhe mobilizimin e shoqërisë për përkujtimin e holokaustit kryesisht nëpërmjet edukimit të brezit të ri.

Ka vërtet shumë për të bërë. Shembujt nga vendet simotra nuk na mungojnë:

Jo më herët, por vitin e kaluar miratuam në Kuvend ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, në Programin e Bashkimit Europian “Evropa për Qytetarët”, miratimi i të cilit krijon mundësitë për të mësuar së bashku historinë e përbashkët të vuajtjeve nga sistemet diktatoriale dhe për të kujtuar të kaluarën, me qëllim mospërsëritjen e saj. Të gjithë organizatat jofitimprurëse mund të aplikojnë në këtë program që me fonde të përbashkëta me BE të kemi një ndikim më të madh në atë që është objektivi ynë i përbashkët: trajtimi i së shkuarës për një të ardhme të qetë si një premisë për garantimin e paqes së përbashkët.

Gjithashtu, e iniciativën e MMSR-së u realizua pjesëmarrja e Shqipërisë me statusin e vendit vëzhgues pranë Rrjetit Europian për Kujtesën dhe Solidaritetin, duke synuar që edhe Shqipëria ashtu si vendet e tjera themeluese të këtij Rrjeti dhe atyre që i janë bashkuar Rrjetit, si Gjermania, Polonia, Hungaria e Sllovakia, Rumania, Çekia dhe Austria, të përfshihet në procese të cilat analizojnë, dokumentojnë dhe promovojnë historinë e shekullit të 20-të, zhvillojnë analiza se si ky shekull përkujtohet, duke mundësuar një dialog ndërkombëtar për historinë, si dhe zhvillimin e një kulture europiane të kujtesës.

Viti që sapo lamë pas, përkoi me 25-vjetorin e fillimit të lëvizjes demokratike, që u pasua me rënien e regjimit totalitar në Shqipëri dhe vendosjen e sistemit demokratik.

Si ministër i Rinisë, në kuadër të mbështetjes për brezin e ri, për t’i nxitur dhe motivuar ata për t’u thelluar më tej në edukimin dhe formimin e tyre në fushën e hulumtimit, njohjes, studimit dhe rritjes së vetëdijes për historinë e përbashkët, gjej rastin të kërkoj bashkëpunimin tuaj në këtë drejtim. Faleminderit!

SHKARKO APP