Inaugurohet në Shkodër, fabrika më e madhe e duhanit në Ballkan

Një investim i rëndësishëm është inauguruar në Gur të Zi (Shkodër), duke u bërë fabrika më e madhe e grumbullimit, përpunimit dhe paketimit të duhanit në Ballkan. Falë një investimi të konsiderueshëm, linja e përpunimit dhe paketimit është e teknologjisë së fundit gjermane u vendos në një zonë që njihet per kultivimin e duhanit. Kapaciteti i kësaj linje arrin në 1.000 kilogram duhan perpunim /orë.

Ministrja e Zhvillimit  Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi,  e cila ishte e pranishme në këtë ceremoni, vlerësoi kompaninë “IGLA shpk”  për këtë investim serioz ku do të punësohen rreth 20 punëtorë dhe që ka një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e zonës përreth.

Një zonë tradicionalisht e njohur për kultivimin e duhanit do të ketë tashmë një fabrikë moderne dhe me një teknologji bashkëkohore. Ky investim do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve grumbulluese dhe përpunuese, ku përfituese do të jetë edhe zona e Cërrikut, mbasi një pjesë e duhanit që do të përpunohet në këtë fabrikë do të prodhohet në këtë zonë. Kjo kompani me eksperience të mëparshme në këtë industri, në prodhimin e letrës së cigares, e përmbyll tashmë ciklin prodhues deri në shitje duke ofruar llojshmëri të gjerë dhe specialitete të duhaneve të zgjedhura, puro, cigare, filtra, si dhe aksesorë për duhan të dredhur.

Tregu në të cilën operon kompania “IGLA Shpk është e fokusuar sidomos në atë Italian, por gjithashtu prej vitesh është duke u punuar intensivisht edhe me tregje të tjera europiane sikurse janë: Republika Çeke, Sllovakia, Kroacia, Kosova, Bullgaria, Serbia, Belgjika, Gjermania, Franca.

SHKARKO APP