Informaliteti, kushtet e tregtimit të produkteve ushqimore dhe cilësia e jetës

A është mënyra e tregtimit të ushqimeve një kusht për sigurinë ushqimore? Dikush do të thotë po, e dikush tjetër mund të thotë jo. Të dyja palët mund të kenë të drejtë sipas gjykimit të tyre individual. Ajo pjesë që mund të shqetësojë shumë prej nesh, me shumë mundësi të gjithëve, është tregtimi i ushqimeve të pakontrolluara.

Por çfarë ndodh në të vërtetë? – A e mendon ndokush prej atyre që kërkojnë të blejnë produkte ushqimore në kushte të papranueshme?

Ne nuk dimë se çfarë po konsumojmë dhe me çfarë po ushqejmë fëmijet tanë. Pasiguria është e madhe dhe pikëpyetje e hamendësime të shumta na kalojnë në kokë sa herë që bëjmë pazaret e përditshme. Janë një numër shumë i madh sëmundjesh që po përhapen me shpejtësi marramendëse, dhe të gjitha vijnë si rezultat i ushqimeve të pakontrolluara që konsumojmë.

Si mundet që njerëzit akoma mendojnë dhe madje e konsiderojnë normale që peshku mund të shërbehet në trotuare rrugësh, apo në kamionçina të vogla dhe të mbyllura të cilat hapin pjesën e pasme dhe shndërrohen në dyqane të tregtimit të peshkut.

Si ka mundësi që qumështi dhe djathi vijojnë të tregtohen në mes të pluhurit të rrugës, lagështirës dhe kontaminimit me mikrobe e përsëri ka konsumatorë që blejnë vazhdimisht produkte nga këta të ashtuquajtur tregtarë.

Vetëm në Shqipëri sheh akoma tek tregtohet mishi me tabaka në mes të diellit, pa kushtet më minimale të higjenës dhe në mungesë të freskisë frigoriferike, kontrollit të ekspertëve të higjenës, çertifikimit të produktit etj. E megjithatë njerëzit vazhdojnë të blejnë dhe konsumojnë mish pa kushte.

Shumë herë frutat dhe perimet që tregtohen në marketet e lagjeve ndodhen në kushtet e lagështirës e cila i dëmton produktet dhe herë pas here, pa e vënë re ti mundet që të blesh edhe ushqime të kalbura. Nuk ka një kontroll rigoroz mbi cilësinë e tregtimit të këtyre produkteve dhe blerësit bien pre e tendencës së tregtarit për të siguruar fitimin maksimal.

Përpos të gjitha mungesave të kushteve optimale të tregtimit, një pjesë e mirë e këtyre tregtarëve veprojnë në informalitet pothuajse të plotë. Askush nuk të ofron kuponin tatimor, madje është çudi se tashmë të gjithë pa përjashtim e kanë vendosur njoftimin që nëse tregtari nuk ofron kuponin tatimor, qytetari ka të drejtë të mos paguajë – por që në të vërtetë askush nuk e zbaton. Madje, edhe vetë qytetatarët duket se janë mësuar me këtë situatë (status quo) dhe as që e marrin mundimin të kërkojnë kupon.

Panorama që na del përpara syve është që gjithkund në të ashtuquajturit dyqane të lagjeve jemi të rrethuar me produkte të prodhuara jashtë çdo standarti, shumë prej tyre tregtohen pas datës së skadencës, në kushte të papranueshme higjenike, si dhe në një shkallë shumë të lartë informaliteti.

Nëse qeveria ka berë disa përpjekje dhe me pas është mjaftuar vetëm me vënien e disa gjobave duhet që vetë qytetarët të fillojnë të ndërgjegjësohen, të fillojnë të kërkojnë që të shërbehen me kushtet optimale të tregtimit të gjitha llojeve të produkteve, të kërkojnë prezencën e vulave të agjencisë së kontrollit ushqimor, çertifikimit të produkteve, kuponin tatimor, etj., pasi kjo është e gjitha në të mirën e tyre dhe të familjarëve. Në këtë mënyrë duke qenë kërkues ndaj vetes mundësojmë edhe një cilësi jetese më të mirë për gjithësecilin prej nesh.

 Nga Taulant Koçia

SHKARKO APP