Iniesta: Në planin individual, jemi më të mirët
Spanja do të luajë sot ndeshjen e dytë në grup, teksa përballë do të ketë Iranin, që mban vendin e parë, pas triumfit surprizë ndaj Marokut. “Furia Roja” vjen pas një starti shumë problematik, që filloi me shkarkimin e trajnerit Julen Lopetegui dhe vijoi me atë barazim 3-3 ndaj Portugalisë, ku Cristiano Ronaldo bëri çfarë donte me mbrojtjen dhe portierin spanjoll.
Gjithsesi ndeshja me Iranin do të jenë e një tjetër natyre, pasi spanjollët janë dukshëm favoritë dhe pritet të marrin 3 pikët e para në këtë Botëror. Andres Iniesta bën thirrje për kujdes dhe kërkon që kjo ndeshje të trajtohet si një finale nga shokët e tij të skuadrës, pasi mund të vendosë shumë sa i përket të ardhmes.
“Ndeshjen me Iranin duhet ta luajmë si një finale, pasi nëse fitojmë, do të jemi në pozita mjaft të mira në grup. Jemi një grup i bashkuar futbollistësh dhe kam besim se do të bëjmë një botëror mjaft të mirë. Në nivelin individual jemi më të mirët, por edhe si grup luajmë prej kohësh bashkë, ndaj kam besim te kjo skuadër”, deklaroi Iniesta.