Inspektimi online në arsim, Muça: Shmang abuzimet, gjobat e vendosura deri në 1 mln lekë
Aplikimi i sistemit online për procesin e inspektimit të institucioneve arsimore është një risi e cila shmang abuzimet e mundshme . Kështu ka deklaruar për televizionin SCAN, Kryeinspektori i inspektorjatit shtetëror të arsimit Bashkim Muça. Sipas Muçës inspektimi online prej 7 muajsh , krahas avantazheve të tjera eliminon mundësinë e ndërhyrjeve dhe mit marrjes.
“ Kjo është metodë që rrit shpejtësinë e inspektimit, rrit transparencën, shmang abuzimet për shkak se inspektori në momentin që merr vendimin e hedh online. Është i detyruar bazuar në rregullat dhe ligjet. Ky vendim përfundimtar, ky procesverbal që hidhet nga inspektori apo grupet e inspektimit mund të shikohet direkt nga institucionet që kanë akses, nga ministria, nga inspektorati qendror, nga kryeministria. Kjo është mënyra e vetme për të shmangur abuzimet gjatë inspektimit.”
Gjatë 3 viteve të fundit janë mbyllur 22 shkolla të mesme në shkallë vendi dhe 21 kopshte. Sipas Muçës, mbyllja e tyre është bërë pas kryerjes së monitorimeve dhe inspektimeve ku janë evidentuar shkelje të rënda për të cilat, sipas Kryeinspektorit, subjektet janë paralajmëruar disa herë.
“Ka pasur raste në Shqipëri. Pra, raste të tilla kur janë evidentuar në shkelje shumë të rënda, ligji parashikon dy lloj dënimesh: Dënim administrativ kryesor që është gjobë dhe dënim administrativ plotësues që është propozim për mbyllje të shkollave. Kur deklaron fjala vjen 100 nxënës, por në fakt nuk ka as 30 nxënës. Të tjerët shkojnë vetëm në fund paguajnë dhe marrin dëftesën. Këto shkolla janë gjobitur, janë propozuar për mbyllje sepse kompetencën për shkollat me licencë apo institucionet arsimore e ka Ministria e Arsimit, janë propozuar për mbyllje dhe janë dërguar edhe për ndjekje penale,” tha Muça.
Në rastet e evidentimit të shkeljeve ISHA ka aplikuar masën me gjobë të cilat kapin vlerën prej 500-1 mln lekë për hapjen e institucioneve pa licencë dhe nga 10 deri në 100 mijë lekë për ato që nuk plotësojnë kriteret.