Inspektori  i “rreptë” në veprim!

Nga Hyskë Borobojka/Ditën e premte në mëngjes pazari i qytetit u zgjua nga një ngjarje e pazakonshme. Shitësit e frutave dhe zarzavate, magazinat që tregtojnë me shumicë e pakicë, kasapët e mishit, madje dhe kamerierët e banakierët e lokaleve, pa hapur mirë tregu, filluan të bënin pastrim rrënjësor. Në qytet ishte hapur fjala se do të vinte për kontroll të tregut inspektori, më i ashpëri e më i rreptë i qendrës sanitare dhe mjerë ai që do të kapej në kundravajtje prej tij. E vërteta është se rrallë e për mall deltë ky inspektor i “rreptë” për kontroll. Një vit të tërë mund të mos e shihje inspektorin e “rreptë”, por kur vinte nuk rrinte pa të shqepur me ndonjë gjobë të majma, sa ta mbaje mend gjatë.

       Ato që flisnin njerëzit poshtë e lart, dolën të vërteta. Aty nga ora dhjete e paradites, u duk në hyrje të pazarit inspektori i gjata, me çantën varur në sup…

       -Më piu e zeza! – po dridhej një shitës , – Kushedi ku do t’i venë sytë.

Inspektori, si hodhi vështrimin rreth e qark, tundi kokën e tha:

-Këtu s’paska vend!

-Shpëtova paq kësaj here! – foli me vete i lehtësuar shitësi.

Ndërsa inspektori, i qetë fare, vazhdoi rrugën. Ku ta dinin ata se ku ishte fshehur lepuri dhe si gjuetar i thekur, kishte dalë për ta gjuajtur inspektori. U kthye më të majtë dhe u gjend ballë përballë me lokalin më të madh të tregut.

-Erdhi, erdhi, – u dëgjuan zërat, por inspektori i ra rreth e rrotull lokalit, futi majën e hundës te dera dhe, si rrudhi fytyrën, tha me keqardhje:

-Edhe këtu s’paska vend!

Të gjorave kameriere e bufetiere u shkriu gjaku. Ç’e paska gjetur zotin inspektor të vije deri te pragu i derës e të mos futet brenda, të paktën të shijonte një kafe e një gotë raki. Çudi për të çuditur!? Por ai nuk do t’ia dijë se ç’thonë për të dhe vazhdoi rrugën më tej, duke bërë disa lëvizje hutuese, herë nga e majta, herë nga e djathta e herë drejt. E le lokalin dhe arrin në një pikë tregtimi me shumicë. I zoti i mallit, sa e pa te xhami i vitrinës, iu drodh zemra.

       -Po sikur të vijë të kontrollojë e të gjejë ndonjë mall, që i ka kaluar skadenca, më mori lumi. Gjoba s’është gjë fare përpara mbylljes se aktivitetit e groposjes të mallit!? Le pastaj të na akuzojë për ndonjë toksikim a helmim, siç e akuzuan komshiun tim dy javë më parë se i gjetën një konserve e një çokollate të skaduar! – ziente nën lëkurë pronari.

       Por edhe këtu inspektori nuk begenisi të hynte brenda e psherëtiu nëpër dhëmbë:

       -Edhe këtu s’paska vend!

       Inspektori kishte arritur në cep të pazarit, ku një kasap kishte hapur një lokal për të tregtuar mish viçi, qengji e keci. Kishte a s’kishte licencë për të ushtruar profesioni, kjo ishte një problem tjetër, që s’merrej vesh. Kasapi mendonte se kësaj here inspektori i “rreptë” kishte ardhur të zgjidhte ndonjë kofshë të mirë viçi apo ndonjë qengj a kec të majmë. Por, për çudinë e tij, s’po bënte asnjë kërkesë, por qëndronte te dera e dyqanit dhe rrotullonte sytë nga të gjitha anët e tij, brenda e jashtë. Si erdhi rreth e rrotull lokalit i tha i gëzuar kasapit:

       -Këtu paska vend!

       -Si, si, – i u përgjigj ai, gati sa s’i ra të fikët.

       Nuk ishte mjaft ajo gjoba e majme, që i kishte dhënë gjashtë muaj më parë një inspektor tjetër, por prite dhe një të dytë nga ky!?

       -Këtu paska edhe gjak! – vazhdoi inspektori.

-Po hë, mor zoti inspektor, ku është parë e dëgjuar të therën viça, qengja, keca e milorë e të mos derdhet gjak?! Kësaj i thonë të hash bukë e të mos bësh thërrime!

       Inspektori i etiketuar me ndajshtinin i “rrepti”,  s’e kishte mendjen fare se ç’molloiste kasapi, por vazhdonte kostatimet e tij.

       -Paska edhe këmbë!

       -Aman, o zoti inspektor! Ç’të them unë i gjori? Ku ka bagëti që theren për t’u ngrënë pa katër këmbë!? Janë disa qejflinj që vijnë e i marrin për t’i bërë paçe!

       Tani inspektori ia kishte ngulur sytë një toku me zorrë, që ishin vendosur në qoshen e dollapit  dhe vazhdoi:

       -Sa mirë, paska edhe zorrë!

       -Falma kësaj here, zoti inspektor. Nuk e kam fajin unë për zorrët, që shikon zotria jote në dollap. Fajin e ka ime shoqe, që i ka shkrepur të bëjë ca llukanikë e kolloface shtëpie, ca salsiçe e kremviçe, ca hiçe, thuaj më mirë. Punë grash, për bela e siklete i ke e jo për gjë tjetër- vazhdoi të shfajësohej kasapi dhe, si i vajti më pranë, i foli te llapa e veshit:

       -Po të jetë merak dhe zonja tënde, do bëjmë si do bëjmë e nuk do ta lëmë pa gjë!

       -Si nuk do të na lësh pa gjë, madje do të më sigurosh mjaft!- i tha i gëzuar inspektori.

       Kasapit sikur iu ngroh trupi e po i vinte shpirti në vend. Më në fund inspektori i “rreptë” s’po kërkonte mish të zgjedhur, si nga herë, par i kishin vajtur sytë e mentë te zorrët e bagëtive.

       -Paska edhe kocka! – shtoi inspektori.

       Pas këtij konstatimi të fundit, kasapi ishte bërë as mish as peshk. Nuk po e merrte vesh deri kur inspektori i “rreptë” do të vazhdonte të gjente të meta në lokalin e tij, dhe vazhdoi sqarimin, duke i thënë:

       -Po dorë është, o zoti inspektor. Kur bije satëri, që pret mishin, thërrmohet edhe ndonjë kockë e bie për dhe!

       Inspektori s’dëgjonte fare çfarë fliste e shfajësohej kasapi. Më në fund si i pati rënë rreth e qark pazarit, kishte gjetur vendin e përshtatshëm për të strehuar dy zagarët e tij të gjahut, Lizën dhe Torin. Ata do të jetonin të kënaqur në koliben e re, që do të ndërtonte pranë dyqanit të mishit.

       -Ta ndërtosh strehimin e tyre e t’i vendosësh sa më parë, zoti inspektor. Për ushqimin e tyre mos e vraj mendjen fare, se e kam merak vetë. Do t’i ushqej me mish, kocka, zorrë, këmbë, mëlçi e me të përbrendshmet e tjera të bagëtive të therura. Por kam një siklet!

       -Fol çfarë ke, hape zemrën!?

       Punën e asaj gjobës, që më vuri qendra juaj sanitare gjashtë muaj më parë! Më fiku derën e më shkatërroi biznesin!

       -Fletën e gjobës, që mbush ai gjashtë muaj të shkuara, e grisën zagarët e mi sot… Tani e tutje ke fituar “imunitet” dhe s’të zë as higjiena as profilaksia! – i tha i gëzuar inspektori i “rreptë”.

SHKARKO APP