INSTAT: Në 3-mujorin e parë u rrit 2,3% indeksi i afarizmit
Aktivitetet ekonomike nga sektorët “Agjenci udhëtimi”, “Energji elektrike, gaz, avull” dhe “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” në 3-mujorin e parë 2015 patën rritje të indeksit të afarizmit prej 2,3% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, ndërsa ra në ndërtim, transport dhe industri nxjerrëse.
Sipas publikimit sot nga INSTAT, “Statistikat afatshkurtra të ndërmarrjeve ekonomike” për tremujorin e parë 2015, ku përfshihen veprimtaritë ekonomike për aktivitetet: “Industri”, ku futen industritë nxjerrëse dhe përpunuese, “Energji elektrike, gaz, avull”, “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë”, “Ndërtim” dhe “Shërbime”, ku përfshihen tregtia, transporti, magazinimi, hotelet, informacion &komunikimi, aktivitete arkitekture dhe inxhinierike, agjenci udhëtimi, rezulton se indeksi i volumit të shifrës së afarizmit, vlerësuar me çmime fikse (2010=100) arriti 106,1 %.
Në ndryshimin vjetor të indeksit të shifrës së afarizmit në volum me rritjen 2,3 %, krahasuar me tremujorin e parë 2014, vërehet se ndikuan më shumë aktivitetet që kryhen në sektorët “Agjenci udhëtimi” me 26,4%, “Energji elektrike, gaz, avull” me 21%, “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” me 12,4 %.
Me rënie 9,3% rezultoi aktiviteti në degët e Industrisë, ku rënien më të madhe e pësoi industria Nxjerrëse me 29,7 %.
Gjallërim i aktivitetit ekonomik me rritjen me 3,5% të shifrës së afarizmit në volum, u shënua në degën “Shërbime”, në tremujorin e parë 2015 krahasuar me të njëjtën periudhë të 2014-tës. Ndikim kryesor dhanë aktivitetet: “Agjenci udhëtimi” me 26,4%, “Tregti” me 7,4% dhe “Hotele” me 6.5 %.
Me rënie 17,7% rezultoi shifra e afarizmit në volum në tremujorin e parë 2015, krahasuar me tremujorin e katërt 2014. Ndikim kryesor dhanë aktivitetet në sektorët, “Transport dhe Magazinim” me 48,9% “Ndërtim” me 34% dhe “Industri nxjerrëse” me 29,2 %.
Në aktivitetin “Industri” ku rënia llogaritet në 17,2%, rënien më të madhe të volumit të punës e dha industria Nxjerrëse me 29,2 %.
Në krahasim me tremujorin e katërt 2014, në aktivitetet “Shërbime” u shënua rënie me 16,9 % të volumit të punës kryesisht nga aktivitetet “Transport dhe Magazinim” me 48,9% dhe “Informacioni dhe komunikimi” dhe 24,1 %.