INSTAT: Në korrik bien me 6.9 % importet nga Italia

Në muajin korrik 2016 eksportet drejt Italisë u rritën me 1.9 %, në krahasim me muajin korrik 2015, ndërsa importet patën një ulje prej 6.9 %. Por, gjithsesi, Italia mbetet partneri kryesor tregtar duke zënë 37.8 % të volumit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, INSTAT, gjatë periudhës janar- korrik drejt Italisë janë eksportuar 80.116 milionë lekë mallra, ndërsa janë importuar 99,518 milionë lekë.

Në të njëjtën periudhë të një viti më parë janë eksportuar drejt Italisë 72.343 milionë lekë, dhe janë importuar 95.605 milionë lekë mallra.

Në vlerën e lartë të mallrave të importuara nga shteti fqinj, vendin kryesor e zënë grupi i mallrave “tekstile dhe këpucë”. Importi i kësaj kategorie arriti për periudhën gjashtëmujore, janar-korrik vlerën e 20.665 milionë lekëve.

Ndërsa grupi i dytë me peshë në totalin e importeve për periudhën gjashtëmujore ishte grupi “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” për industritë e reja dhe për rinovimin e atyre ekzistuese nga sipërmarrësit privatë shqiptarë, por dhe italianë që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri. Importi i kësaj kategorie arriti për këtë periudhë vlerën e 15.693 milionë lekëve. Ndërsa importet nga grupi ‘minerale dhe lëndë djegëse dhe energji elektrike” arritën në vlerën 14.708 milionë lekë.

Në vlerën e mallrave të eksportuar drejt shtetit fqinj, vendin kryesor e zë grupi “tekstile dhe këpucë”. Eksporti i kësaj kategorie arriti për periudhën janar-korrik vlerën e 42.439 milionë lekëve. Ndërsa eksportet e grupit “materiale ndërtimi dhe metale” në gjashtëmujorin e parë të këtij viti shënuan vlerën e 8.068 milionë lekëve.

SHKARKO APP