INSTAT: Në maj u shtrenjtuan çmimet në arsim dhe ushqime

 

Ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit (IÇK) në muajin maj është 1,8 %, nga 1,6% që ishte një vit më parë, ndërsa ndryshimi vjetor arriti 119,4 % kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 2007=100).
 
INSTAT njofton se rritja vjetore në maj sivjet u ndikua kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,48 pikë përqindje, ku ndikim kryesor dhanë rritja e çmimeve për grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,24 pikë përqindje, për “Shërbimi arsimor” me +0,14 pikë përqindje, “Komunikimi” me +0,06 pikë përqindje.
 
Me ulje rezultuan çmimet e grupeve “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me -0,13 pikë përqindje, “Transporti” me -0,08 pikë përqindje, të “Veshje dhe këpucë” me -0.06 pikë përqindje dhe “Mallra e shërbime të ndryshme” me -0,05 pikë përqindje.
 
Krahasuar me muajin maj 2014, rritja më e madhe e çmimeve u shënua në grupet “Shërbimi arsimor” me 10,1 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 6,8 %, “Komunikimi” me 2,2 %, etj. Çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 3,8 %, ku rritjen më të madhe e shënuan çmimet e nëngrupit “fruta” me 16,3 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 11,2 %, “peshk” me 2,9 %, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 0,9 %, etj.
 
Ndryshe nga këto grupe, në majin e sivjetëm u ulën çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” me 2,7 %, “kafe, çaj e kakao” me 2,4 %, “qumësht djath e vezë” me 1,1 %, etj. Por ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupet “Transporti” me 1,4 % dhe “Veshje dhe këpucë me 1,2 %, etj.
 
Ndryshimi mujor i indeksit është – 1,6 %. Krahasuar me muajin prill, sivjet në maj ulja më e madhe e çmimeve u vu re në grupin “Ushqime dhe pije joalkolike” me 3,6 %, ndërsa rritja më e madhe u shënua tek grupi “Transporti” me 0,3 %, pasi krahasuar me një muaj më parë, çmimi i eurodiezelit u rrit 0,8 % dhe benzinës 0,9 %.

SHKARKO APP