INSTAT: Papunësia, arsyeja kryesore e emigracionit

 

Një studim për çështjet e emigrimit, i bërë nga Instituti i Statistikave dhe i publikuar në fund të vitit të kaluar, rendit arsyet e emigrimit të shqiptarëve ndër vite.

Në më shumë se dhjetë arsye të identifikuata nga INSTAT, papunësia është faktori kryesor.

Gati 72% e emigratëve të pyetur, vlerësohet të kenë ikur në kërkim të një pune. Në fakt, sipas studimit, tre faktorët kryesorë të emigrimit në dhjetë vitet e fundit, lidhen me punën, e të ardhurat prej saj. E dyta në listën e arsyeve, është një mundësi më e mirë për punë, ndërsa faktori i tretë është mundësia për të ardhura më të larta.

Edhe pse jo në përqindje të lartë, bashkimi familjar është arsye migracioni për më shumë se 16% të të intervistuarve.

Pasiguria e përgjithshme në vend është perceptuar nga gati 9% e të pyeturve si një faktor shtytës për emigracionin.

Shumica e emigrantëve, përpara se, të migronin ishin të papunë.

Sipas të dhënave të Institutit të statistikave, shkalla e papunësisë në vend është rritur gati 5 pikë përqindje në dy vitet e fundit.

Në tre muajt e parë të vitit 2012, shkalla e papunësisë ishte gati 13%. Ndërsa në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, ajo arriti në 17.6%./ABC

SHKARKO APP