INSTAT: Rritet numri i të punësuarve në vend
Në Shqipëri po vjen gjithmonë e në rritje numri i personave që rezultojnë të jenë të punësuar diku. Dukuri kjo që konfirmohet nga të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave, sipas të cilave, ekziston një trend pozitiv për ecurinë e punësimit në vendin tonë. Kështu, sipas Anketës Tremujore të Forcave të Punës, rezulton se ka një shtim të të punësuarve të personave që rezultojnë si fuqi aktive për punë. “Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013 për popullsinë 15-64 vjeç, numri i të punësuarve është rritur me 82.629 persona”, citojnë saktësisht lidhur me një dukuri të tillë ekspertët e INSTAT-it, referuar periudhës së tremujorit të katërt të vitit të kaluar 2014. Për të shtuar më tej se shkalla e papunësisë për femrat është rritur me -1.5%, ndërsa për meshkujt ajo ka rënë me -0.5%. Dhe se krahasuar me tremujorin e mëparëshëm, atë të tretë të vitit 2014, për popullsinë 15-64 vjeç shkalla e papunësisë ka rënë me 0.2% për meshkujt dhe është rritur me 1.6% për femrat. “Në tremujorin e katërt të vitit 2014, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 63.6%. Për femrat shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 54.1% dhe për meshkujt 73.5%. Krahasuar me tremujorin pararendës, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës ka një rritje të lehtë prej 0.2%”, cilësojnë gjithashtu ekspertët e INSTAT-it. Sipas tyre, po gjatë kësaj periudhe, 41.8% e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e bujqësisë dhe 22.5% e tyre punojnë në sektorin e shërbimeve të tregut (tregtia me shumicë dhe pakicë; riparimi i automobilave; hotelet dhe restorantet; transportet, magazinimi dhe komunikacioni; ndërmjetësimi monetar dhe financiar; pasuritë e patundshme). “Punësimi në sektorin e shërbimeve jo të tregut (administrimi publik dhe i mbrojtjes; sigurimi shoqëror i detyruar; arsimi; shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale; aktivitete të tjera të shërbimit kolektiv; social dhe individual; shërbime në shtëpi; aktivitete të organizmave ndërkombëtare) përbën 17.1% të punësimit total. Të punësuarit në industrinë përpunuese përbëjnë 9.3% të të punësuarve gjithsej”, sqarojnë ata. Teksa ritmi i rritjes së punësimit sipas sektorëve nga tremujori i tretë në tremujorin e katërt 2014 është 9% në industrinë përpunuese; 1.6% në ndërtim dhe pati rënie të numrit të të punësuarve në aktivitetet bujqësore prej 3.1% dhe në industrinë nxjerrëse, energjisë dhe ujit prej 4.3%. “Në terma vjetorë, punësimi u rrit me 8.5% (krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013). Industria përpunuese, aktivitetet e shërbimeve të tregut dhe sektori i ndërtimit patën rritjen më të madhe të të punësuarve me përkatësisht 27.4%, 14.8% dhe 14.6%”, përfundojnë ekspertët e INSTAT-it.
RAPORTI
Gjatë tremujorit të katërt 2014, të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave pesha që zënë në punësimin total të punësuarit me pagë është 42.3%. Kurse të vetë-punësuarit (punëdhënës ose të vetë-punësuar pa të punësuar të tjerë me pagë) përbëjnë 27.5% të të punësuarve në tërësi, ndërsa punëtorët pa pagesë të familjes përbëjnë 30.2% të punësimit total.