INSTAT: Rritet Prodhimi i Brendshëm Bruto, arrin 1.83%

Instituti i Statistikave publikoi sot të dhënat finale të Produktit të Brendshëm Bruto për vitin 2013 dhe gjysmë-finale për vitin 2014, sipas të cilave PBB-ja në vitin 2013 ishte 1 %, ndërsa në 2014 vlerësohet të ketë arritur 1.83 %.

Sipas këtyre të dhënave, PBB me çmime korrente në vitin 2014 u vlerësua 1.394.419 milion lekë (10.0 miliardë Euro) dhe 1.350.053 milionë lekë (9.6 miliardë Euro) për vitin 2013.

PBB për frymë në vitin 2014 arriti në 482 mijë lekë (ose 3,443 €) nga 466 mijë lekë (ose 3,323 €) që ishte në vitin 2013.

Në vitin 2014 ekonomia shqiptare shënoi një rritje në terma realë 1,83 % krahasuar me vitin 2013, pas një rritje prej +1,00 % në vitin 2013 krahasuar me vitin 2012.

Sipas raportit, kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë si “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” me 0,80 pikë përqindje, “Industria, Energjia dhe Uji” me 0,54 pikë përqindje, “Shërbimet e tjera” me 0,49 pikë përqindje, “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me 0,45 pikë përqindje, “Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi” me 0,38 pikë përqindje dhe “Tregti, transporti, akomodimi e shërbimi ushqimor” me 0,36 pikë përqindje.

“Ndërtimi” është dega që ka kontribuar negativisht në rritjen ekonomike me -1,28 pikë përqindje. Taksat neto mbi produktet kontribuan respektivisht me -0,02 pikë përqindje.

Përsa i përket strukturës së PBB sipas aktiviteteve ekonomike, peshën më të madhe në ekonomi për vitin 2014 vazhdojnë ta zënë Shërbimet gjithsej me 45,7 % të PBB, të cilat u rritën me +4,92 % në terma realë. Industria dhe Ndërtimi përbëjnë 21,5 % të Produktit të Brendshëm Bruto, por ndërsa Industria u rrit me +4,26 % në volum, Ndërtimi ka pësuar një rënie prej -12,44 %.

Bujqësia, gjuetia, pyjet dhe peshkimi përbëjnë 20,0 % të PBB dhe janë rritur me 1,96 % në terma realë. Deflatori i PBB-së për vitin 2014 ishte +1,4 %.

Sipas PBB–së me metodën e shpenzimeve, konsumi final përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi, me 93,0%. Ky komponent u rrit me +5,53 % në terma nominalë dhe +3,41 % në terma realë. Në strukturën e Konsumit Final është konsumi final i popullatës ai që zë peshën më të madhe, prej 87,10%, i ndjekur nga konsumi i administratës publike me 12,32 % dhe konsumi i institucioneve jo-fitimprurëse në shërbim të familjeve (IJFSHF) me 0,58 %. Si rezultat i përfshirjes së burimeve të reja të informacionit, vlerësimet e IJFSHF kanë pësuar rritje prej +0,27 pikë përqindje në strukturën e grupit.

Në vitin 2014, formimi bruto i kapitalit fiks i cili përbën 24,6 % të PBB-së, u ul me -2,63 % në terma nominalë dhe -3,97 % në terma realë krahasuar me vitin 2013. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 1,46 % në terma nominalë dhe me 1,79 % në terma realë, ndërkohë që Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 3,87 % në terma nominalë dhe 4,58 % në terma realë, krahasuar me vitin 2013.

SHKARKO APP