INSTAT/ Shqiptarët dynden drejt Tiranës dhe Durrësit
Dy qytetet më të preferuara të shqiptarëve për të lëvizur brenda vendit, për një jetesë më të mirë, janë Tirana dhe Durrësi
Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2016, nivelin më të lartë të migrimit ose largimit të banorëve e mbajnë Dibra, Kukësi dhe Gjirokastra.
Shqiptarët vijojnë të dynden drejt Tiranës dhe Durrësit duke i rendituar ato si qarqet top destinacion për migrantët e brendshëm.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se nga të gjitha qarqet e tjera, largimi i banorëve është më i madh nga hyrjet, ndërkohë që vetëm këto dy qarqe kanë fluks të lartë të të ardhurve.
Qarku i Tiranës ka rritjen më të lartë, mesatarisht me 19.8 për mijë banorë çdo vit në periudhën 2012-2016 ose e shprehur me terma absolute rreth 16 mijë banorë i janë shtuar këtij qarku mesatarisht çdo vit.
Ashtu si në vende të tjera, migracioni i brendshëm në Shqipëri është më së shumti sinonim i urbanizimit.
Pjesa më e madhe e njerëzve që kanë ndryshuar vendbanimin në pesë vitet e fundit kanë lëvizur në qendrat urbane, që në shumicën e rasteve, përfshin kryeqytetin, Tiranën. Dibra, Kukësi, Gjirokastra dhe Berati janë qarqe të cilat kanë një balancë të thellë negative të migracionit të brendshëm duke pësuar flukse shumë më të larta dalëse sesa hyrëse të popullsisë.
Lëvizjet e popullsisë bëhet me synimin për një jetesë më të mirë ndërsa pjesa më e madhe e migrantëve janë nga zonat të thella, ku shpesh mungojnë shërbimet më elementare për një komunitet.
Migracioni më i lartë:
DIBRA -28 %
KUKËSI -23,8 %
Gjirokastra -23,7 %