Intelektuali që shkroi historinë dhe bëri histori

 

Me rastin e 99 vjetorit të lindjes, kujtojmë jetën dhe veprën e intelektualit dhe patriotit të shquar

Patriotizëm do të thotë ta duash vendin tënd. Patriotizëm është ta mbrosh atdheun e kombin tënd kudo e kurdo. Me vepra e me fjalë. Ta mbrosh edhe me armë po qe nevoja, po edhe ta respektosh me dije e shkencë për t’ia ngrite ne piedestal kulturën dhe civilizimin e tij. Kushdo që bën një gjë të tillë, pasqyron më sinqerisht ndjenjën e atdhedashurisë. Këta njerëz janë të paktë. E në mesin e tyre ka vend edhe për historianin e parë të Kosovës Lindore, profesorin e shquar Ibrahim Kelmendin.

           

Në gjurmët e të parëve, drejt rrugës së dijes

            I lindur më 16 prill 1916, në një familje qytetare dhe arsimdashëse të Preshevës, ai pati një fëmijëri të mundimshme e të vuajtur. U rrit pa kujdesin e plotë familjar, në një vend me probleme të shumta etnike e politike, ku bashkëkombasit e tij urreheshin e përbuzeshin. Nisi të shkollohej në shkolla me propaganda të forta antishqiptare, por ja që kurrë, në asnjë moment nuk ra pre e ndikimit të tyre. Përkundrazi, i kundërshtoi hapur dhe ashpër!

            Përkundër rreziqeve e peripecive, qe i vendosur të ndjekë gjurmët e të atit. Iu përkushtua rrugës së dijes e shkollës. Vetëm se i ati kishte studiuar drejtësinë në Universitetin e Stambollit, kurse ky u përcaktua për degën e Historisë në Universitetin e Beogradit (1938). Zgjodhi historinë, sepse donte me çdo kusht ta dëshmonte historinë, origjinën, gjuhën e kulturën shqiptare, që të tjerët mundoheshin vazhdimisht ta fshinin, ta zhduknin apo ta shtrembëronin. Vitin e parë e kreu në Shkup, të dytin dhe të tretin në Beograd, semestrin VII në Peruxhia të Italisë, kurse semestrin VIII në Zagreb, ku edhe diplomoi më 1942. Lëvizi shumë, sepse asnjëherë nuk mund t’i duronte deri në fund ligjeratat propagandistike antishqiptare, me falsifikime e keqintrepretime. Do t’i kundërshtonte gjithmonë, prandaj dhe do të sanksionohej. Por dënimet dhe pengesat se ndalnin dot, se edhe ai vetë pati deklaruar “…do t’i qëndroj gjithmonë besnik gojëdhënave e rrëfimeve që kam dëgjuar që në vegjëli nga familjarët dhe paraardhësit e mi në Preshevë”. Dhe me të vërtetë i qëndroi besnik. Madje arriti edhe t’i dokumentojë në fakte e vepra që do t’i botonte në vitet në vijim.

           

Njeriu i pendës dhe i luftës

Pas diplomimit, Ibrahim Kelmendi nisi punën si profesor i historisë e pastaj edhe zv.drejtor i Shkollës Normale “Sami Frashëri” në Prishtinë. Jo vetëm si profesor, por edhe gjatë kohës kur ishte student, duke i ndihmuar studentët e tjerë shqiptarë, Ibrahim Kelmendi dha kontribut të paçmueshëm në vetëdijësimin e gjeneratave të reja, për zhvillimin e arsimit dhe kulturës, për të respektuar dhe mbrojtur kombin dhe gjuhën e pastërt shqipe. Ai pati ndikim në shumë njerëz, prandaj dhe gëzoi respektin e shumë prej tyre. Si një antifashist i devotshëm, ishte zgjedhur kryetar i Rinisë së Ballit Kombëtar të Kosovës. Ishte anëtar aktiv i kreut të ngushtë të Komitetit të Intelektualëve  të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, këshilltar i Komitetit të Rinisë Nacionaliste Shqiptare dhe ishte në organin drejtues të Komitetit Demokratik Shqiptar.

            Por, atdhedashuria, e mishëruar aq fuqishëm në personalitetin e tij, kishte jo vetëm anën intelektuale, të pakrahasueshme për kohën dhe vendin ku  jetoi, por ngërthente edhe shpirtin guximtar e luftarak për të qenë gjithmonë i gatshëm t’i dalë në mbrojtje vendit të vet. Kjo u pa edhe më 1944 kur si shumë bashkëvendas të tij, me pushkë në dorë mori pjesë aktive  kundër forcave sllavopartizane në përleshjet në Anamoravë, Ferizaj, Gjilan, Malësi të Preshevës e Drenicë. Kelmendi nuk e pranonte asnjëherë robërinë. Do të kërkonte me çdo kusht lirinë dhe prosperimin e popullit të vet. Ky ishte qëllimi i tij parësor dhe s’do të kishte asnjë frymë apo ideologji që do ta ndalte. Një bindje e këtillë, do t’i kushtonte shumë. Gjatë tërë jetës. Shumë herë do t’ia rrëmbente edhe lirinë nëpër burgje e kampe. Do të bëhej viktimë e kërcënimeve, që do t’i sillnin çdo ditë vdekjen më pranë. Por sado pranë të kishte vdekjen, dëshira e madhe për të realizuar ëndrrën e tij, ia shtonte jetën. I jepte kurajo. I jepte vullnet.

 

            Kundërshtar i përjetshëm i komunizmit

            Ai gjithmonë vepronte për të mirën e popullit, edhe pse kjo nuk i shkonte përshtat regjimeve të atëhershme. Qëndrimi i tij i palëkundur se “komunizmi është një proces jo natyror” , do ta vendoste atë në anatemën titiste e enveriste.. Si ithtar i përheshëm i idealit të lirisë dhe demokracisë, Ibrahim Kelmendi besonte se vetëm ky parim do të duhej të jetë e ardhmja e shqiptarëve.  Ndonëse i përndjekur vazhdimisht, ai e dinte se atdheu duhet dashur e respektuar, edhe atëherë kur udhëhiqet nga njerëz jo të duhur. Sepse ai ashtu e donte edhe vetë. Këtë e dëshmon edhe deklarata e tij në një kohë, kur kompani shqiptare e të huaja po përgatitnin një grup diversantësh shqiptarë që të zbarkonin në Shqipëri për të përmbysur regjimin komunist. Atëbotë, Ibrahim Kelmendi me miqtë e tij të ngushtë patën deklaruar “Ne nuk do të shkojmë kurrë në Shqipëri që të vritemi në luftë kundër shqiptarëve të atjeshëm, apo edhe të vrasim ushtarë shqiptarë. Shqiptarët e Kosovës gjithmonë kanë luftuar dhe do të luftojnë për bashkim me Shqipërinë e jo kundër saj…Nëse dëshironi t’i dërgoni kosovarët ta luftojnë komunizmin diku, atëherë na ndihmoni të shkojmë në Kosovë dhe në Serbi dhe atëherë do të shihni se si luftohet dhe si vdiset për ideale dhe kundër komunizmit”. Pas kësaj vendosmërie të prerë, e vetmja rrugë që i mbeti ishte ajo e mërgimit drejt Australisë së largët.

 

            Zëri i shqiptarëve, nga Australia e largët

Vazhdoi jetën në atë pjesë të botës, shumë larg familjes, miqve e vendlindjes. Por mendja dhe zemra i ngeli përgjithmonë këtu, tek ne. E vetmja mënyrë për t’i ndenjur pranë bashkëkombasve, ishte të vazhdonte aktivitetin e tij politik e intelektual edhe atje. Prandaj dhe botoi me dhjetra shkrime e dokumente nëpër gazetat shqiptare në diasporë si: “Albania” e Bostonit, “Albania” e Romës, “Përpjekja e Jonë” e Nju Jorkut, “Flamuri” i Ballit Kombëtar, “Besa” e Stambollit, “Koha jonë” e shumë të tjera. Gjatë jetës, ka lënë shkrime shumë të rëndësishme për historinë e shqiptarëve si:  “Ilirët në protohistori-origjina,kultura dhe përhapja e tyre”, “Prej Miteve deri në Butmir”, “E vërteta mbi gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi”, “Përbërja etnike dhe historike e Kosovës”, “Kosova në luftë me komunizmin”, “Perspektiva e imperializmit serb”, “Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë” e kështu me radhë…

 

Historiani i parë i Kosovës Lindore

Ndonëse, në kohët e sotme këto dukuri janë studiuar edhe më gjerë, nuk duhet harruar, se për kohën dhe rrethanat në të cilat jetoi Ibrahim Kelmendi, aftësia e tij për t’i realizuar këto studime, mbetet unike dhe e pamohueshme. Kjo e veçon atë nga të tjerët. E bën ndër ilirologët e parë në tërë trevën e Kosovës. E ngre në nivelin më të lartë të intelektualëve të kohës së tij. Profesor Kelmendi, me veprën dhe vet jetën e tij, e nderoi kombin. Dhe sot, pas vdekjes, kombi duhet ta nderojë atë. Ta nderojë me mirënjohje të thellë, për shërbimin që ia bëri. Në luftë dhe në paqe. Me armë dhe me pendë. Më 1979, vdekja i mori trupin, por vepra i ngelet përjetë. Ai do të kujtohet gjithmonë, si një personalitet shqiptar i dalluar, ku mishëroheshin bujaria, guximi, urtësia, arsimimi, idealet dhe patriotizmi. Me një fjalë ai do të mbetet gjithmonë simbol shqiptar i qytetërimit, që Presheva e vogël ia dhuroi Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve.

 

                                                                                                            AFRORE SHAIPI

(studente e vitit të parë,

 Fakulteti Juridik, Prishtinë)

            

SHKARKO APP