Interneti arrin në 35% të familjeve shqiptare

Numri i abonentëve të internetit me brez të gjerë është rritur me 12% brenda një viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, në fund të muajit qershor ishin afro 255 mijë abonentë që merrnin internet me linja fikse, çka do të thotë se në një vit numri i abonentëve të internetit është shtuar me rreth 38 mijë të tillë.

I matur ndaj totalit të familjeve, tashmë depërtimi i internetit në shtëpitë e shqiptarëve ka arritur në 35.3%, nga rreth 31.5% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e numrit të përdoruesve të internetit është në rritje të fortë falë konkurrencës së shtuar mes operatorëve kryesorë dhe në veçanti falë konceptit të shërbimeve të integruara, që ofrojnë marrjen e dy ose tre shërbimeve me një pagesë të vetme. Kjo formulë po rezulton mjaft e suksesshme, në veçanti pas nisjes së ofrimit të shërbimit IPTV.

Në total, janë afro 175 mijë abonentë që marrin të paktën dy shërbime të integruara, ndërsa 78 mijë prej tyre marrin njëkohësisht internet, telefoni fikse dhe IPTV në një faturë të vetme. Brenda një viti, numri i atyre që i marrin të tre shërbimet së bashku është rritur me 76%. Rritje me ritme të shpejta po regjistron edhe përdorimi i internetit përmes rrjeteve celulare.

Teknologjia 4G dhe rritja e aksesit në telefonat smart e ka çuar numrin e përdoruesve të internetit nga rrjetet celulare në afro 1.52 milionë, me një rritje 51% brenda një viti. Tashmë AKEP vlerëson se 53.5% e popullsisë së vendit kanë akses në internet me brez të gjerë, përmes rrjeteve celulare.

SHKARKO APP