Intervistë në bishtin e urës
Nga Hyskë Borobojka
“…I ati i tij nga një minierë,/Nga fundi i dheut nxjerr katran e serë,/Ndërsa i biri endet kot,/Në asfaltin e babait lot Foks-Strot!” Dritëro Agolli
Për hir të kujdesit të autoriteteve civile, qyteti është zbukuruar me një urë të madhe mbi një lumë të vogël. Në bishtin e saj, sa zbardh dita e deri sa mbrëmja nden çarçafin e saj, kalimtarët e ndryshëm shohin një gjyshe flokëbardhë, me fytyrë të thatë, si eshkë, që ka vendosur përpara një arkë me cigare të llojeve të ndryshme, çamçakiza, karamele, stilolapsa, çakmakë me flakë e drita, një qese me fara luledielli e kinkalerira të tjera. Gjyshja flokëbardhe e fytyrë eshkë nuk lajthit asnjë ditë pa zënë “cakun” e saj në bishtin e urës së madhe, ku shkojnë e vijnë njerëzit tufa-tufa. Aty është ajo, mbështjellë me një shall të zbardhur e një xhaketë të trashë, edhe kur të përvëlon vapa, në varë, edhe kur bie shi e fryn erë në vjeshtë, edhe kur të pret thëllimi e fryn era me tërbim në dimër. Nuk lodhet duke iu lutur klientëve e kalimtarëve të blenë mallrat e saj “të lira e të mira!” Se kush e detyron këtë plakë flokëbardhë e fytyrëeshkë, të mos i ndahet bishtit të urës së madhe mbi lumin e vogël, shumë e shohin, por pak e njohin.
Një ditë te bishti i urës mora guximin dhe vendosa të bëja një intervistë me plakën flokëzbardhur:
-Nuk gëzoni pension, po rrini këtu në bishtin e urës, sa hapet dita e deri sa bije nata?- e pyeta.
-Si nuk gëzoj! Madje, marr pension më shumë se shoqet e mia, jam veterane e luftës për çlirimin e vendit!- m’u përgjigj ajo me zë të lartë.
-Nuk të mjaftojnë ato që merr, por rri thahesh e sfilitesh këtu te bishti i urës?- vazhdova intervistën.
-Për vetë më mjaftojnë e më teprojnë, por kam fëmijët!- më sqaroi plaka.
U çudita që gjyshja në atë moshë, me flokë të bardha dëborë, të kishte fëmijë të vegjël, që duhet t’i mbante me të ngrënë e me të pirë, me të veshur e me të mbathur. Por ajo s’më la ta shtrydhja shumë mendjen e më tregoi, se fëmijët e saj i kishte burra e gra, të martuar, të trashëguar e me fëmijë, por kishte nipërit e mbesat. Në këtë bisedë e sipër erdhi një djalë, me kokën atje lart te kurora e pemës në qoshe të urës. Dhe duke i rrahur krahët me përkëdheli plakës flokëbardhë, i tha në mënyrë urdhërore:
-Gjyshe, hajde hidhu! Më jep një pesëmijë lekëshe, se jam me disa shokë e shoqe në lokal! Tundu një çikë, mos u trego e plogët, shpejt, se po më presin!
Plaka futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës dhe nxori që andej kërkesën e nipit. Ai ia rrëmbeu me nxitim nga dora dhe iku me vrap, pa marrë mundimin as ta falënderonte.
-Mashalla, e paske goxha king këtë nip! – i thashë.
-E kam pikë të dobët, nuk ia prish dot!- pohoi ajo
-Po ku punon ky goxha djalë? – e pyeta.
-Në kafene!- ishte përgjigja e saj e shkurtër.
-I punësuar, kamerier apo bufetier?- vazhdova pyetjet.
-Jo, jo, është klient i “abonuar”, s’lajthit kurrë, aty e ke paradite e pas dite!- më tha ajo
-S’ke ç’bën! Kështu janë ndarë punët. Ti këtu në mes të ftohtit, erës e shiut, që nipi të jetë ngrohtë të hajë e te pijë në lokal! – e ngushëllova.
Akoma nuk ia kisha mbyllur derën intervistës me ‘të për nipin e “abonuar” në kafene, kur te bishti i urës erdhi një vajzë, lyer e ngjyer e me barkun jashtë. Në qafë kishte varur dy zinxhirë e dy palë rruaza, një palë të bardha dhe pala tjetër me kokrra të mëdha e të verdha, si tespie qelibari. Në veshët kishte varur një palë vëthë me xhingla-mingla, që i vareshin deri në supet e zhveshura. Flokët të përziera, të zeza, kafe e të verdha, si dhi kënutë, i kishte bërë topuz në majë të kokës, si çerdhe gushëkuqesh. Llërët i kishte plot me byzylykë e zinxhirë, madje një prej tyre nuk mungonte as në njërën këmbë. Ndërsa gishtërinjtë e duarve të ngarkuar me unaza të formave e madhësive të ndryshme. Sytë ia mbulonin një palë gjyzlykë të errët e të mëdhenj, sa një patkua kali. Ndërsa në veshin e djathtë mbante një celular nga ata më të fismit. Kur e shihje duke ecur, tundu e shkundu, të dukej si një “kinkaleri shëtitëse”. Sa erdhi pranë plakës flokëbardhë e fytyrëeshkë, as e pyeti në ishte lodhur e mërzitur, por sikur e ndiqte njeri nga pas, apo kishte ndonjë “takim” e s’i durohej, nxitoi e i tha:
-Gjyshe, shpejt një dhjetë mijëshe se po mbaron karta e celularit!
-Dy ditë më parë e bleve, moj thëllëzë e gjyshes!
-Gjyshe, fjalët e shumta janë fukarallëk, prandaj tunde dhjetëmijëshen se kam punë të ngutshme!
Plaka e gjorë po kruante xhepat të plotësonte shumën e lekëve, që donte mbesa, ndërsa “kinkaleria shëtitëse” qëndronte pranë saj buzë varur, si mbi gjemba, sikur donte t’i thoshte gjyshes së saj: “Akoma s’i ke nxjerrë nga xhepi, sikur kushedi ç’do të japish?! Një dhjetëmijëshe e qelbur është, nuk është shpirt për të dalë!? Më në fund plaka flokëbardhë e fytyrë eshkë, më siklet të madh e plotësoi edhe kërkesën e saj. Mbesa ia rrëmbeu nga duart dhe, në vend ta falënderonte, e qortoi, se me ato të flamosura lekë, sikur i kishte mbledhur nga lipsat e rrugëve, po e vononte aq shumë.
-Po mbesën në shkollë apo në punë e ke? –e pyeta.
-Shkollëzeza e punëzeza. Atë, mor zotni, e ka parë shkolla dhe jo ajo shkollën! – m’u përgjigj, duke ndjekur me sy mbesën që po largohej me shpejtësi si era.
Ç’të bënte plaka e gjorë, fytyrëthatë si eshkë, me rrudha të thella në ballë e në faqe, me sytë të futur në zgavra. Ajo nuk mund ta braktiste “cakun” e saj në bishtin e urës së madhe mbi lumen e vogël. Duhet të thahej atje deri sa t’i delte shpirti për të mbajtur nipin “abone” lokaleve e kafeneve dhe mbesën “kinkaleri shëtitëse” me celular në vesh.