Investim 20 milionë USD në objektin me qira 1 Euro

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Znj. Milva Ekonomi firmosi  me sipërmarrësin e kompanisë “BOMIRA SHPK”, z. Ylli Aliaj, kontratën e qirasë me tarifën simbolike 1 euro/kontrata.  Investimi i Shoqërisë “BOMIRA” SHPK, Ura Vajgurore, Berat, do të konsistojë në sistemimin e ambienteve ekzistuese dhe në ndërtimin një qendre multi-funksionale, për grumbullimin, seleksionimin, ambalazhimin, ruajtjen dhe tregtimin të frutave e perimeve të freskëta.

Kjo, tha Ministrja Ekonomi, është kontrata e 21-të që ne firmosim në kuadër të kontratave të qirasë me tarifën simbolike 1 euro, që nënkupton se subjekti paguan qira vetëm 1 euro për 20 vjet për pasurinë shtetërore që merr në përdorim.

“Shoqëria angazhohet të kryejë një investim fillestar prej rreth 2 milion USD dhe parashikon një investim total prej 20 milion USD, në objektin që do të marrë me qira”, u shpreh Ekonomi.

Duke dhënë detaje të kësaj kontrate, Ministrja Milva Ekonomi deklaroi se “deri në fund të vitit 2018 do të jenë të punësuar 50 punonjës, periudhë kjo që përkon dhe me kohën e përfundimit të investimit.

Bëhet fjalë për objektin e ish- vend dislokimit të Shtabit të vjetër të Bazës Ajrore Kuçovë, Berat”, me sipërfaqe të përgjithshme prej 4.2 hektarë.

Në proces kemi edhe disa kontrata të tjera që presim të finalizohen në muajt në vijim, tha Ministrja Ekonomi, duke theksuar se ka një interesim të shtuar të biznesit ndaj këtyre objekteve. Në fund të fjalës së saj, Ministrja Ekonomi tha: “Lehtësimi i të bërit biznes, krijimi i kushteve sa më optimale për bërjen biznes është një sfidë e vazhdueshme e qeverisë shqiptare. Gjatë këtyre tre vjetëve është bërë shumë në këtë drejtim por, mbetet akoma edhe më shumë për të bërë”.

Sipërmarrësi Ylli Aliaj, pas nënshkrimit të kontratës tha: “Znj. Ministre unë ju falënderoj për besimin që na dhatë për kërkesën tonë për marrjen me qira të kësaj sipërfaqeje, 4.2 hektarë.

Mbi këtë sipërfaqe do të ndërtohet një qendër e integruar për grumbullimin e produkteve bujqësore. Kjo nuk është thjeshtë një qendër grumbullimi, por një qendër e integruar.  Fillimisht  do të bëhet seleksionimi i produkteve e pastaj paketimi i tyre. Në planin tonë të biznesit parashikojmë ndërtimin e një laboratori  për certifikimin e çdo produkti që do të merret përsipër të tregtohet në tregun tonë dhe atë të huaj. Të gjithë fermerët do të kenë mundësinë që në këtë qendër,  të certifikojnë  produktet e tyre. Përparësia tjetër që do të ofrojë kjo qendër është që, të gjithë fermerët, pas një periudhe dy vjeçare, do të kenë mundësi të orientohen se çfarë do të kultivojnë në sipërfaqet e tyre, pasi sot që nuk ka një program të tillë për fermerin. Përveç kësaj, do të bëhet dhe afrimi i imputeve për fermerët, me një cilësi të madhe të farnave. Kjo do të mundësojë që prodhimi, në një sipërfaqe të barabartë me atë që fermeri ka sot, të jetë tre herë më i madh nesër, në sajë të këtyre trajnimeve që do bëhen për fermerët.

Është ideuar që të hapet një shkollë private, e cila do t’i vijë në ndihmë të gjithë atyre që kanë dëshirën të ndërtojnë sera.

Brenda periudhës dy vjeçare është parashikuar që të punësohen 50 veta dhe investimi në këtë periudhë është 2 milionë dollarë. Në vazhdimësi janë ideuar investime të tjera, ku sipërfaqja e madhe e qendrës na jep mundësinë e instalimit të paneleve diellore, nga ku do të prodhohet dhe energjia elektrike.  Ne do t’i përmbahemi çdo germe të kësaj kontrate që firmosëm sot”.

SHKARKO APP