Ish-deputetja ironizon Dumën pas gafës: Mjerë studentët…

Gafa e një dite më parë e deputetes demokrate Grida Duma, lidhur me origjinën e filozofit Nikolo Makiaveli, nuk ka kaluar pa u vënë re nga politikanët. Është ish-deputetja e PS-së, Ledi Shamku që në një postim të saj në Facebook, ironizon deputeten e PD-së.

“Jepi Grida jepi! Mjerë studentët që të kanë pasur “zysh”!!! Ta quash fiorentinin Niccolò Macchiavelli një mendimtar të Lindjes së Largët ekspert në fitoret e betejave, pra ta ngatërrosh fiorentinin me San Xu-në (Sun Tzu), i bie që ke ngatërru pikën e vlimit me këndin e drejtë, kuptove? Apo prit: Quajmë “pikë vlimi”…. – të vazhdoj? Veç kësaj, janë nja 22 shekuj në mes; njëri është i shek. VI para Krishtit e tjetri i shek. XVI pas, kuptove?!”,-shkruan Shamku.

Nga salla e Kuvendit, deputetja Duma citoi dje pjesë nga filozofia, por duke bërë gafë lidhur me origjinën e Makiavelit.

Në fjalën e saj Duma tha se është me origjinë nga Lindja e Largët, kur në fakt Makiaveli është nga Firenze e Italisë. “Ashtu siç shumë kohë më parë Makiaveli, një mendje tjetër e ndritur e Lindjes së Largët dhe e strategjisë thoshte që: Fitimtari e fiton luftën shumë më parë se sa të zbresë në fushë-betejë, se në fushën e betejës luftën e kërkon ta fitojë vetëm humbësi”,-tha Duma në parlament.

SHKARKO APP