Ish-kryebashkiaku Tushaj për përmbytjet në Lezhë: S’dua ta politizoj, por banorët në rrezik nga investimet pa cilësi

Viktor Tushaj, ish-kryetar i Bashkisë Lezhë, në një intervistë për Ora News është shprehur se mbi 2500 hektarë toke janë të mbuluara në ujë në Bashkinë e Lezhës për shkak se investimet nga qeveria nuk kanë qënë efekive.

Tushaj u shpreh se po rrezikohet jeta e banorëve për shkak të mos marrjes së masave nga ana e bashkisë.

“Problem i vështirë është dhe rrëshqitje e dheut poshtë spitalit të Lezhës që rrezikon ndërtesat. Shtabi i Emergjencës në Bashkinë e Lezhës duhet të jetë aktiv gjithë kohën. Kryetari i Bashkisë duhet të marrë masa për t’iu lehtësuar situatën qytetarëve pasi pasojat do të jenë të paimagjinueshme. Po rrezikohet jeta e banorëve për shkak të investimeve pa cilësi “, tha ai.

Sipas Tushaj këto katastrofa natyrore po përsëriten çdo vit dhe faji mbetet i bashkisë.

“Situata të tilla kur përsëriten është pasojë e papërgjegjshmërisë për t’iu bërë ballë. Nuk dua ta bëj politike këtë situatë të vështirë por bashkia i ka mundësitë për t’iu bërë ballë këtyre emergjencave. Bashkia duhet të angazhojë të gjitha kapacitetet për ta rimëkëmbur gjithçka po shkatërron kjo përmbytje”, u shpreh ai.

Për sa i përket Gjykatës Kushtetuese, Tushaj u shpreh se është e domosdoshme për të vënë drejtësinë në vend.

“Mungesa e Gjykatës Kushtetuese ka qënë shkaku i vendimeve skandaloze të marra nga institucionet e shtetit tonë. Mungesa e gjykatës ka vënë në rrëzik drejtësinë dhe të drejtat e qytetarëve. Gjykata Kushtetuese do ti hapë rrugë zgjedhjeve të reja demokratike”, tha ai.

Më tej ai shtoi se qeveria e Rilindjes ka dështuar duke i dhënë shpresë opozitës në vend.

“Pritshmëritë për këto zgjedhje janë të mëdha pasi ekonomia është e rrënuar nga Rilindja. Qeveria nuk  mbajti premtimin për shëndetësinë falas dhe këtë populli e vuajti sidomos në këtë kohë pandemie. Kështu që dështimi i kësaj qeveri padyshim që i jep shpresë opozitës shqiptare”, u shpreh ai.

Tushaj tregoi se do të udhëheqë fushatën elektorale në qytetin e Lezhës në zgjedhjet e e ardhshme të 25 prillit.

SHKARKO APP