Ish kryeministri Sali Berisha shfaqet në fushatën e PD-së 3 ditë para zgjedhjeve

Të rinjtë e FRPD-së në Njësinë 2 në Tiranë kanë përjetuar një surprizë të vërtetë sot kur pranë tendës së tyre elektorale është shfaqur lideri historik i PD-së, ish kryeministri Sali Berisha.

Berisha është njohur me punën e të rinjve në terren gjatë këtyre 28 ditëve dhe angazhimin e tyre për Partinë Demokratike. Ish kryeministri Berisha i ka falenderuar ata për entuziazmin dhe energjinë që i kanë falur fushatës së PD-së në Tiranë, dhe gjithashtu ka përgëzuar edhe kandidatin për deputet Dashamir Shehi i cili e ka përqendruar fushatën e tij elektorale pikërisht në këtë njësi.

Ish kryeministri Sali Berisha i cili është edhe i 7-ti në listën e PD-së në Tiranë, ka zgjedhur të mos përfshihet direkt në fushatën elektorale në terren, por nga ana tjetër ka zgjedhur të jetë zëri kryesor i denoncimeve të parregullsive të fushatës zgjedhore, dhe tentativave për keqpërdorimin e pushtetit nga e majta. Gjithësesi kjo e sotmja është padiskutim shfaqja e tij e parë në terrenin elektoral të PD-së, dhe mesazhi mund të konsiderohet i plotë.

SHKARKO APP