Ish-të dënuarit, kush përjashtohet nga dëmshpërblimi/ Rregullat
Ministria e Financave vijon dhënien e kësteve të dëmshpërblimit për trashgimtarët. Kur ka kaluar 8 muaj nga miratimi i buxhetit të ri, ende nuk është mbyllur dhënia e këstit të parë dhe të dytë.
Burime të gazetës nga Ministria e Financave bëjnë me dije se procesi ka ecur me ritme të ngadalta për trashgimtarët. Problem mbetet fakti se një sërë dosje të trashgimtarëve që duhet të përfitojnë dëmshpërblimin, nuk janë të plota, duke bërë që të mos përfitojnë këstin e parë ose të dytë.
Kjo ka bërë që Ministria e Financave t’ju lerë një afat 3 mujor trashgimtarëve për të dorëzuar dokumentat, por edhe në këtë rast, dosjet nuk janë plotësuar. Trashëgimtarët nëse nuk dorëzojnë kërkesën për përfitmin e këstit të radhës, atëherë humbasin të drejtën të dëmshpërblehen me buxhetin e këtij viti dhe duhet të presin fazën tjetër.
Por dhënia e kësteve për trashëgimtarët ka ngecur edhe për faktin se vetëm 30% e buxhetit shkon për dëmshpërblimin e tyre, ndërsa 70% shkon për ish të përndjekurit që janë gjallë. Ndërkohë pa përfunduar dhënia e këstit të parë dhe të dytë nuk do të nisë procesi i dëmshpërblimit për këstin e tretë.
Instituti i të Përndjekurve Politik tha për gazetën se duhet që të mbyllet më parë dhënia e këstit të parë dhe të dytë, pastaj të nis dhënia e dëmshpërblimit për këstin e tretë. Ministria e Financave bëri me dije për gazetën procedurat e dëmshpërblimit dhe rastet kur e humbisni të drejtën për të përfituar.
Procedura
Të gjithë trashgimtarët pjesë e listës për pagesën e këstit të parë dhe të dytë, duhet të dërgojnë në strukturën përgjegjëse të Ministrisë së Financave dokumentet e parashikuara në aktet nënligjore, brenda një afati 3-mujor nga data e publikimit të listës, pas përfundimin e këtij afati jepet një afat shtesë deri në 30 ditë.
Kur një ish i dënuar politik ose trashëgimtari i ish të dënuarit politik refuzon të dorëzojë dokumentacionin e kërkuar brenda afateve të parashikuara si më sipër, forma e refuzimit duhet të jetë me shkrim. Personat, të cilët nuk dëmshpërblehen, për shkak të mosplotësimit të dokumenteve, gëzojnë të drejtën për të marrë këstin e kësaj pagese në fazën tjetër, por jo më vonë se tre vjet pas publikimit.
Dokumentat për këstin e parë dhe të dytë
Dokumentacioni që duhet të dërgohen në Ministrinë e Financave, për shpërndarjen e këstit të dytë janë: Numrat e llogarisë bankare në Lekë për çdo trashëgimtar, ose për personin e autorizuar që ka prokurë të posaçme për tërheqjen e dëmshpërblimit. Dokument identiteti (kopje Letërnjoftimi, Pasaporte) të çdo trashëgimtari ose të personit që ka prokurë të posaçme për tërheqjen e dëmshpërblimit.
Pagesat e këstit të dytë, do të kryhet mbi bazë të dokumentacionit të dërguar për pagesën e këstit të parë, kur nuk ka: 1.kontestim, nga rrethi i familjarëve, trashëgimtarët. 2.nuk ka ndryshime të statusit të ish të dënuarit politik ose të trashëgimtarëve, jetojnë. 3.nuk ka revokim të prokurës së posaçme.
Marrja e kësteve
Por cilat janë dokumentat bazë që duhet të ketë çdo dosje për të marrë dëmshpërblimin. Për trashëgimtarët e ish-të përndjekurve që nuk jetojnë më: Akt trashëgimie. Certifikatë vdekje të të dënuarit. Certifikatë trungu të të dënuarit. Numër llogarie bankare aktive për çdo përfitues ose procure. Dokument identifikimi për përfituesit.
Në qoftë se një ose disa nga trashëgimtarët e rradhës së parë nuk jetojnë më, atëherë njëri nga trashëgimtarët në marrëveshje, do të postojë dokumentet e mëposhtëm:
-Akt noterial trashëgimie për çdo trashëgimtar të rradhës së parë që nuk jeton më.
-Certifikatë vdekje për çdo trashëgimtar të radhës së parë që nuk jeton më.
-Certifikatë të trungut familjar të çdo trashëgimtari të rradhës së parë që nuk jeton më.
-Numër llogarie aktive bankare për të gjithë trashëgimtarët e trashëgimtarëve të rradhës së parë që nuk jetojnë më.
-Fotokopje të Kartës së Identitetit apo Pasaportës të çdo trashëgimtari që vjen nga trashëgimtarët e rradhës së pare, që i lind e drejta për dëmshpërblim.
Nëqoftë se njëri ose disa trashëgimtarë të rradhës së dytë nuk jetojnë më, e drejta e tyre për dëmshpërblim nuk vazhdon më tej. Në këtë rast, llogaritja e pjesës takuese të këstit bëhet mbi bazën e trashëgimtarëve që janë gjallë. Nga ana e trashëgimtarëve që jetojnë, në marrëveshje, paraqesin certifikatën e vdekjes së trashëgimtarit që nuk jeton.
Në rastet kur ish-i përndjekuri nuk jeton më, një dosje quhet e rregullt dhe e gatshme për tu paguar, vetëm atëherë kur të gjithë trashëgimtarët pa përjashtim, do të kenë dorëzuar dokumentacionin e përmendur më lart për të gjitha rastet e trashëgimisë .
Në të kundërt, askush nuk mund të paguhet i veçantë, derisa i gjithë dokumentacioni i dosjes të jetë i plotë për të gjithë.