Ish-të përndjekurit, 600 emrat që marrin këstin e tetë
Një grup përfaqësuesish të ish-të dënuarve politikë, në një takim që patën dje me ministren e Financave, Helga Vukaj kanë ngritur shqetësimin për procesin e pagesave, teksa mosha pjesës më të madhe të tyre tashmë i ka kaluar të tetëdhjetat.
Simon Miraka tha për “Shekullin” se janë 600 ish-të përndjekur, në pritje të këstit të fundit, ndërsa theksoi se gjatë 3 viteve të fundit ka një çoroditje totale të këtij procesi. Grupi i mbledhur i shprehu shqetësimin ministres edhe për pamundësinë e marrjes së informacioneve nga strukturat përkatëse të ngritura për këtë qëllim e kaosin që shkaktohet në radhët e përfituesve nga publikimet e pasakta.
Po ashtu ata ngritën shqetësimin e dëmshpërblimit për trashëgimtarët e ish-të burgosurve politikë një pjesë e madhe, e të cilëve nuk kanë arritur të marrin as këstin e dytë të dëmshpërblimit, megjithëse ishte premtuar që ky këst do të shpërndahej brenda vitit 2016.
Një tjetër ankesë e tyre, ishte dhe fakti që shtresa e të internuarve në vitet 1945-54’, nuk është futur ende në skemën e dëmshpërblimeve, megjithëse një gjë e tillë parashikohet në ligj. Ministrja Vukaj garantoi ish-të përndjekurit se do të ndjekë në mënyrë të detajuar ecurinë e këtij procesi në të gjitha hallkat e tij.
Vukaj informoi përfaqësuesit e ishtë përndjekurve se ka kërkuar informacion të detajuar nga drejtoria përkatëse në Ministrinë e Financave rreth ecurisë së shpërndarjes së kësteve të dëmshpërblimit. Ajo ndau me ta shqetësimin e përbashkët se ky proces po shoqërohet nga vonesa të vazhdueshme të cilat tashmë janë kthyer në fenomen.
“Nuk është e drejtë theksoi Vukaj, që pas kalvarit të burgjeve gjatë regjimit komunist, ju të përballeni me kalvarin e vonesave dhe pengesave artificiale në marrjen e asaj që u takon ligjërisht”. Ajo informoi ata për hapjen e linjës së dedikuar telefonike si dhe u premtoi sistemimin e kaosit që shkaktohet nga publikimet e pasakta.