Ish-të përndjekurit, 630 dosjet me mangësi

Ish-të përndjekurit, për fitues të kategorisë parë sore që presin të marrin këstin e pestë dhe të gjashtë duhet të dorëzojnë pranë Ministrisë së Financave dokumentet për të marrë paratë. Burime nga Financat bëjnë të ditur se janë rreth 630 përfitues, që nuk kanë dorëzuar ende dokumentacionin e nevojshëm për të marrë dëmshpërblimin. Sipas të njëjtave burime, mësohet se dy dokumentet që mungojnë në pjesën më të madhe të dosjeve janë certifikata dhe numri aktiv i llogarisë bankare. Ministria e Financave bën të ditur se kur ish-i dënuari politik që jeton ose trashëgimtari ligjor humbet zotësinë juridike për të vepruar, me vendim gjykate i është përcaktuar kujdestari ligjor, në këto raste veprimet nga Ministria e Financave bëhen në emër të personit me këtë të drejtë. Kujdestari ligjor duhet të dërgojë në Ministrinë e Financave:

i). Vendimin e gjykatës mbi kujdestarinë ligjore, origjinalin, ose kopje e njësuar;

ii). Numër Llogarie bankare në lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kujdestarit ligjor;

iii). Dokument identiteti (kopje ID-je, pasaporte) të kujdestarit ligjor;

iv). Certifikatë personale të ish-të dënuarit politik jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit. Ndërkohë, ish-të dënuarit politikë që jetojnë ose trashëgimtari ligjor kanë të drejtë ta delegojnë me prokurë të posaçme, tërheqjen e dëmshpërblimit financiar. Në këto raste veprimet nga Ministria e Financave kryhen në emër të personit me këtë të drejtë. Personi me këtë të drejtë duhet të dërgojë në Ministrinë e Financave:

i). Prokurën e posaçme, origjinale, bashkëlidhur duhet të ketë kopje të vlefshme të dokumentit të identitetit (kopje ID-je, pasaporte) për çdo të përfaqësuar;

ii). Numër llogarie bankare në lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në emër të tij; iii). Dokument identiteti (kopje ID-je, pasaporte) të tij;

iv). Certifikatë personale të ish-të dënuarit politik jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit.

GJASHTË KATEGORITË

Të parat në listë janë gratë ish-të dënuara që jetojnë në momentin e pagesës. Përfituesit duhet të paraqesin certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit dhe numër llogarie bankare në lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë, që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Sipas urdhrit të Ministrisë së Financave, në kategorinë e dytë me prioritet janë persona ish-të dënuar mbi 75 vjeç në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, që vazhdojnë të jenë gjallë. Kjo kategori duhet të paraqesë certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit dhe numrin e llogarisë. Ndërsa në kategorinë e tretë me prioritet janë persona ish-të dënuar politikë të gjallë, që vuajnë nga sëmundje të rënda. Kjo kategori duhet të paraqesë raport mjeko- ligjor, origjinal me emra dhe mbiemra të anëtarëve me firmë të gjithsecilit dhe me vulë, jo kopje) për paaftësi të plotë për punë e lëshuar nga KEMCAP, raport mjekoligjor për sëmundje onkologjike dhe sëmundje të gjakut të pashërueshme të lëshuar nga: Qendra Shëndetësore Universitare “Nënë Tereza”, Qendra Shëndetësore Universitare “Shefqet Ndroqi”, certifikatë personale dhe numrin e llogarisë bankare në lek. Për kategorinë e katërt, prioritet kanë personat ish-të dënuar që janë gjallë, të cilët pavarësisht moshës, në momentin e pagesës kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç. Përfituesit e kësaj kategorie duhet të paraqesin certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit, certifikatë familjare ku të përfshihet fëmija i mitur, certifikatë personale të fëmijës/fëmijëve të mitur dhe numër llogarie bankare në lek.

Ndërsa për kategorinë e pestë prioritet kanë “Persona ish-të dënuar që nuk jetojnë, por në momentin e pagesës kanë trashëgimtarë të radhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç”. Përfituesit duhet të paraqesin certifikatë vdekjeje të personit ish-të dënuar, certifikatë personale të të miturit / miturve, trashëgimtarë të radhës së parë të personit ish-të dënuar që nuk jeton më, certifikatë familjare të ish-të dënuarit, ku të përfshihen fëmija/fëmijët e mitur, dëshmi trashëgimie që të vërtetojë se fëmija i mitur është trashëgimtar ligjor. Vendim gjykate të kujdestarisë mbi të miturin, në rastin kur edhe nëna e të miturit nuk jeton më dhe numër llogarie bankare. Për kategorinë e gjashtë prioritet kanë “Persona ish-të dënuar që janë gjallë dhe në momentin e pagesës nuk kanë mbushur 75 vjeç”, të cilët duhet të dorëzojnë certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit dhe numër llogarie. /GSh/

SHKARKO APP