Ishte miting, apo demonstrim force?!

Nga Zef Shtjefni

M’u duk se nuk kishte kauzë reale dhe moral politik të lartë as mitingu i kësaj radhe i PD-së. U bë për të rrëzuar nga froni ish-aleatin e tyre të djeshëm për të cilin, kur qeverisnin së bashku,vranë 4 njerëz të pa fajshëm në mes të po atij bulevardi, më 21 janar 2011. Tani duan ta rrëzojnë, sepse e kanë kundërshtar politik ,dhe si pretekst gjejnë thjeshtë një akuzë verbale të Tomës, i cili mendoj se nuk e di as vetë pse i ka hyrë pyllit të politikës në këmbë. PD dhe Berisha organizuan një miting pa kauza reale dhe për së dyti herë, por pjesëmarrjen e patën të kënaqshme. Pritej edhe dhunë, por për fat asgjë nuk ndodhi. E ndryshuan planin e dhunës nga presioni i opinionit publik dhe mediave të brendshme, apo të kancelarive perëndimore, kjo nuk po merret vesh. Mbase po luan rol zbutës me profesionalizmin e saj edhe Policia e Shtetit, e cila po i sfidon berishianët me police “mise”, që i rreshton si në sfilatë para berishianëve dhe kështu ata nuk kanë me kë të përleshën. Apo mos vallë PD-ja e bëri mitingun thjeshtë si një test për demonstrim force dhe për të ushtruar presion mbi mazhorancën e pse jo dhe ndaj organeve të drejtësisë. Kush e ka sado pak konceptin minimal të shtetit e kupton se sa i pavend, i pa kauzë dhe i pa moral ishte ky miting i bërë në këto rrethana, kur çështja për të cilën po protestohet sapo është marrë në dorë nga Prokuroria dhe për të janë në zhvillim e sipër hetime intensive. Berisha, Paloka,Topalli dhe elementë të tjerë radikalë të PD-së nëpër media kanë marrë edhe rolin e gjykatësve për çështjen Doshi, duke paragjykuar hetimet dhe çdo gjë që po bëjnë organet e drejtësisë. Me këtë aksion ata demonstrojnë se PD-ja ka gisht politik në këtë ngjarje dhe kur fut hundët politika, dihet se nuk zbardhet kurrë asgjë. Militantët, të papunët, hajnat që nuk vjedhin dot më energji, drogaxhinjtë që nuk mbjellin më drogë, ndërtuesit e kaosit urban që nuk ndërtojnë dot më pa leje, sekserët e shitjes së diplomave false, bashkiakët që po humbin ofiqet etj, prap ia mbushën sheshin e mitingut të PD-së. Por mitingu mbaroi shpejt sepse siç duket nuk kishte gjë për të thënë më shumë. Ose mbase u thirrën për tjetër gjë dhe u detyruan të ndërrojnë planin. E themi këtë sepse Berisha që ditën e parë të rrëzimit nga pushteti nuk e ka pushuar luftën për të mos e pranuar dhe për ta përmbysur verdiktin e popullit në zgjedhjet e qershorit 2013. Ai me sa mundet është përpjekur të hakmerret me mitingje destabilizuese, me bllokime të parlamentit, me paralizim të punës së Policisë dhe të Qeverisë. Ai i quan 1 milion qelbësira,1 milion shqiptarët që ia dhanë votën mazhorancës së majtë. Ky është morali i pështirë politik i Berishës. Çdo qelbësirë apo fundërrinë që pështynë kur e ka kundërshtar e bën hero dhe e lëpinë kur rreshtohen përkrah tij. Ky ishte kuti moral dhe i PD-së në këtë miting, ndaj ndoshta nuk kishin çfarë të thonin e çfarë të bënin më shumë. Berishianët po provojnë ta shtyjnë qeverinë dhe policinë që të bëjnë të njëjtat gabime që ka bërë Berisha e Luli me 21 janar. Synojnë sigurisht që dhe ta detyrojnë qeverinë të dorëhiqet me qëllim që të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Por kauzë dhe moral për dhunë nuk kishte dhe Basha këtë e kuptoi mirë. Nëse Berisha synonte dhunë, atij i dështoi dhe ky miting i radhës. PS në ngjarjet e 21 janarit mori videon e Priftit si pretekst. Por në fakt kauza dhe shkaku i egërsisë së atij mitingu ishte keqqeverisja e gjatë autoritare e Sali Berishës,vjedhja e zgjedhjeve të përgjithshme përmes Ristanëve si dhe tradhëtimi i akordit të arritur me europianët në Restorant Krokodil. PD-ja nuk kishte asnjë nga këto kauza të mëdha që i dyndin njerëzit të hidhen me egërsi kundër qeverisë së tyre. Njerëzit nuk janë të verbër. Ka vetëm pak militantë që mund të jenë të tillë. Edhe një vjedhës energjie e di mirë se qeveria nuk po i bie kot në qafë dhe sado që është mësuar ta vjedhë prej vitesh energjinë, nuk ka motiv të fortë të gjuaj me gurë kundër Selisë së Kryeministrisë e Parlamentit të tij, siç mund të ketë dëshiruar Berisha. Edhe kauzën e pastrimit të politikës nga krimi zor se ua beson njeri. Nuk ua besojnë, sepse e dinë mirë shqiptarët që nëse të majtët kanë njerëz të inkriminuar brenda radhëve, i futën gabimisht brenda për t’ua kundërvënë të djathtëve që i kanë më shumicë deri lart dhe nuk guxojnë dot t’u përmendin as emrat e jo ma t’i pastrojnë. Të kërkosh koka turku vetëm tek kundërshtari dhe të çjerrësh nëpër mitingje për pastrimin e politikës nga krimi kur vetë je i krimbur, e bën kauzën e mitingut të rëndomtë e deri në qesharake dhe vetë mitingun e transformon në një grumbullim kaotik njerëzish, që i përdor vetëm për t’i dhënë vetës kurajë, për të demonstruar forcë para zgjedhore para pozitës, apo dhe ushtuar presion para organeve të drejtësisë.

 

 

SHKARKO APP