Ismail Kadare nderohet me çmimin “Jeronim de Rada”

Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, u nderua dje me çmimin special “Jeronim de Rada” në Panairin e 17-të te librit “Tirana 2014″. Gjatë ceremonisë së organizuar në Panairin e librit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ambasadori italian, Gaianni, tha se “është kënaqësi e veçantë e nder i madh për mua të jap çmimin e parë për shkrimtarin e madh Ismail Kadare”. “Është shumë domethënëse që ky çmim t’i jepet Ismail Kadaresë. Ndonëse nuk ka shkelur kurrë në Shqipëri, Jeronim de Rama, ishte një promotor i Shqipërisë në Itali dhe Europë”, theksoi ambasadori Gaianni. Shkrimtari i madh Ismail Kadare u shpreh se “jam i nderuar dhe i prekur për këtë çmim që mban emrin e gjeniut të parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe poetit që e ndihmoi të lindte rilindja dhe u bë paraardhësi i dritës së madhe, që mbuloi në atë kohë Shqipërinë. De Rada riktheu letërsinë shqipe në orientimin europian që letërsia shqipe ishte duke e humbur”. Kadare vlerësoi dhe Italinë, vendin nga ku ushtroi veprimtarinë e tij letrar De Rada. “Kam kënaqësi që përbri meje është ambasadori i Italisë, vendi që e mbajti De Radën në gjirin e tij dhe kaloi jetën atje. De Rada ishte poet i madh dhe profet i së ardhmes”, theksoi Kadare. Ndërsa kryetari Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, i dorëzoi shkrimtarit të madh Kadare statujën e shkrimtarit Jeronim de Rada. Ismail Kadare është një nder shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore bashkëkohore. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja), ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe kulturën e saj shekullore. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

ÇMIMET NË PANAIRIN E LIBRIT

Juria e Panairit të Librit Tirana 2014 shpalli fituesit e edicionit të 17-të të tij, mbështetur në propozimet e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë. Juria, e përbërë nga Virgjil Muçi (kryetar), Persida Asllani, Nasi Lera, Alfred Lela dhe Beti Njuma shpallën fituesit si më poshtë me motivacionet përkatëse:

“Çmimi i mirënjohjes”, Petro Zheji

“Çmimi për përkthyesin më të mirë”: Alina Karaulli për librin “Xhejn Er”

“Çmimi për autorin e vitit”, Arben Dedja për librin “Histori ekskatologjike”

“Çmimi special “Jeronim De Rada” iu dha autorit Ismail Kadare.

SHKARKO APP