Ismet Elezi, everesti i drejtësisë shqiptare

Prof. Dr. Ago Nezha –

Një jetë që nuk shteron kurrë

Profesor Ismet Elezi, u lind në pranverën e vitit 1920, në fshatin Fterrë të Kurveleshit, nga një familje me ndjenja të ngjizura patriotike dhe arsimdashëse. Fterra është një fshat i vogël malor, por me cilësi të veçanta, që si rrallë fshat në Shqipëri, shquhet për njerëz të dijes dhe të shkencës, me emra të dëgjuar profesor dhe shkencëtar dhe akademik në të gjitha fushat e jetës. Mes emrave të mëdhenj janë dhe dy djemtë e Tahsim Elezit, Profesor Ismeti dhe Doktor Besim Elezi, që tashmë janë të njohur në mbarë vendin dhe si takojnë më fshatit nga ku kanë lindur, as Labërisë, por gjithë Shqipërisë. Babai i tyre, Tahsim Elezi, ka qenë pjesëmarrës aktiv në gjithë luftërat për liri dhe pavarësi duke filluar nga Lufta e Vlorës në 1920, në organizatën “Bashkimi”, dhe pjesëmarrës i lëvizjes fanoliste të qershorit në 1924, që shërbeu si shkak për ta internuar regjimi monarkik i Mbretit Zog. Për veprimtarinë patriotike Tahsimi është vlerësuar me “Certifikatën e Mirënjohjes” nga Këshilli Komunal i Lukovës, (Sarandë).

Profesor Ismeti, mësimet e para i mori në vendlindje, në Fterrë. Në vitin 1942, kreu Liceun e Tiranës dhe po atë vit fitoi konkursin dhe shkoi për studime në djepin e kulturës italiane në Firence, në fakultetin Letërsi-Filozofi. Pas kthimit në Shqipëri, në Korrik të vitit 1943, merr pjesë në lëvizjen Nacional-Çlirimtare, i inkuadruar në radhët e rinisë antifashiste, deri në çlirimin e plotë të vendit. Pas çlirimit, në Prill të vitit 1945, u caktua të punonte në Sektorin e Propagandës të Rinisë Antifashiste të Shqipërisë (BRASH), deri në Shtator të vitit 1946.

Në Tetor të vitit 1946, deri në Korrik të vitit 1951,kreu studimet Universitare në fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin Leningradit(Petërsburg), ku u diplomua Jurist, me diplomë të shkëlqyer. E ky shkëlqim, e shoqëroi atë pa ju ndarë, në të gjithë rrugëtimin e jetës. Pas krijimit të Universitetit të Tiranës, në periudhën 1957 deri në Dhjetor 1960, nën udhëheqjen e Profesorit me famë botërore Mihail Shargorodski, kreu studimet pasuniversitare për marrjen e gradës shkencore “Doktor”. Në vitin 1972, mori Titullin “Profesor”. Ndër vite pune të suksesshme ka kryer detyra të ndryshme shtetërore. Ka filluar si Prokuror Kasacioni pranë Gjykatës së Lartë, në vitet 1951-1955, sekretar Shkencor i Institutit të Shkencave, 1955-1957, Sekretar Shkencor i universitetit, që nga krijimi i tij 1957 -1966. Nga viti 1966 deri në vitin 1985 , ka kryer detyrën e Kryetarit të Byrosë Juridike në Këshillin e Ministrave.

Ka një karrierë të gjatë në fushën pedagogjike, duke filluar si pedagog i jashtëm në vitin akademik 1952-1953, në Fakultetin Ekonomik, ku ka zhvilluar lëndën “Bazat e Shtetit e të së Drejtës”. Nga viti 1957-1995, ka dhënë mësim në Fakultetin e Drejtësisë, lëndën e “Të Drejtës Penale”, si dhe më pas lëndën e “Kriminologjisë dhe Politikës Penale”. Krahas këtyre ka zhvilluar ligjërata në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, në Shkollën e Magjistraturës, si dhe në Universitetin “Justinian I” dhe Universitetin Wisdom.

Në fushën e botimeve shkencore, ka një prodhimtari të pamat. Është autor i mbi 280 botimeve , nga të cilat 34 libra, monografi, tekste universitare dhe artikuj shkencor. Veprimtarinë shkencore e ka zhvilluar në dy fusha prioritare: Në të “Drejtën Penale” dhe në të “Drejtën Zakonore”. Ndër botimet kryesore do rendisim: “E Drejta Penale(Pjesa e Posaçme) e botuar dhjetë herë, monografitë “Mbrojtja Juridike Penale e jetës së njeriut në Shqipëri”, “E Drejta zakonore penale e Shqiptarëve”, vlerësuar me Çmimin e Republikës së Shkallës së Dytë, “E drejta zakonore e Labërisë”,”Zhvillimi i Legjislacionit Penal”, “Kanuni i Labërisë”, “Mendimi juridik Shqiptar”, e shumë të tjera.

Krahas botimeve individuale, ka qenë bashkëautor në shumë botime fondamentale, si në  12 botime tekstesh e monografish. Ka mbajtur referate e kumtesa në konferenca Kombëtare e Ndërkombëtare. Një kontribut të veçantë ka dhënë në hartimin e Legjislacionit Penal shqiptar.

Për gjithë veprimtarinë e tij të pasur, ka marrë vlerësime e çmime të ndryshme. Do veçoja atë të Qendrës Ndërkombëtare të Biografive në Kembrixh të Anglisë, në vitin 1998, që e ka shpallur “Njeriu Ndërkombëtar në Shkencë”. Ndërsa  në vitin 2011 “Association International de droit penal” me qendër në Francë, e ka shpallur “President Nderi të grupit kombëtar shqiptar”. Njëkohësisht, ka qenë dhe anëtar i Bordit të Fondacionit “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve” dhe anëtar i bordeve në disa revista shkencore. Është nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Kolegji “Gjilani” në Prishtinë dhe me “Medaljen e Nderit  të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”. Megjithëse në moshë të kaluar, Profesor Ismeti, s’ka përtuar dhe s’është kursyer për të qenë i pranishëm në shumë veprimtari të shoqatës Labëria, pa folur  për kontributin e tij të veçantë me botimin e veprës monumentale “Kanuni i Labërisë”, që do ta quaja Pasaporta e trevës së Labërisë.

Për kontributin e tij të pandërprerë në Shoqatën Kulturore Atdhetare “Labëria”, ai mban prej vitesh Titullin e lartë “Personalitet i Shquar i Labërisë”. Ndërsa për veprimtarinë e tij patriotike, mban “Statusin e Veteranit”.

Lartësia e veprës të Profesor Ismet Elezit, në shërbim të Jurisprudencës

Profesor Ismet Elezi, ja ka kushtuar tërë jetën e tij të begatë, njërës prej fushave më të mprehta, delikate dhe jetike për shoqërinë shqiptare, fushës së drejtësisë. Ai, është jo vetëm një shkencëtar dinjitoz, profesor i shumë brezave, por dhe një ekspert i të drejtës penale dhe jo më pak të rëndësishme janë veprat e tij dhe në fusha të tjera të së drejtës, si Historia e së Drejtës shqiptare dhe ajo e Mendimit juridik shqiptar. Në këtë prodhimtari të larmishme gjejnë veten një shtresë e gjerë shoqërore, duke filluar nga studiuesit, pedagogët, studentët, juristët, sociologët, psikologët, historianët etj. Vepra bazike e Profesor Ismet Elezit është kthyer në një doktrinë, që i referohen komuniteti i gjyqtarëve në proceset vendimmarrëse të tyre. Është e vështirë të ndash emrin e tij, nga emri i veprës së tij në fushën e të Drejtës Penale. Profesor Ismeti, është një personalitet i përmasave madhore dhe pikë referimi për të gjithë brezat që janë përfshirë në studime, hulumtime dhe aplikime  të  shkencës juridike. Ai, ka ecur gjithmonë me hapin e kohës, përkrahës i së resë, pararendës i përparimtares, progresives. Të gjithë bashkëkohësit, kolegët, por dhe ish studentët e tij,  flasin me admirim për Profesor Ismetin, jo vetëm si dijetar, shkencëtar, pedagog, por dhe si njeri. Ata, e përshkruajnë si modelin e njeriut fisnik, autoritar, të çiltër, të dashur, bashkëveprues dhe të gjindshëm në çdo vështirësi. Dua të shkëpus dy konsiderata të veçanta të ish studentëve të profesor Ismetit, që sot janë profesorë në fushën e tyre dhe kuadro me karrierë të lartë në fushën politike shoqërore dhe shtetërore. Së pari, kam përjetuar një telefonatë të Profesore Makbule Çeços, me rastin e botimit të një shkrimi që kishte bërë Profesor Ismeti, për një libër timin “Papagajt e Politikës”. Ajo e filloi ligjëratën e vetë duke më thënë: “urime për shkrimin, se të shkruaj Profesor Ismet Elezi, është një nder i madh. Shqipëria vazhdoi ajo, e ka për nder që ka një personalitet të tillë, që në këto 100 vjet të pavarësisë, s’ka dalë një tjetër si Profesor Ismeti në fushën e Jurisprudencës”. Këtë ndjesi e gjejmë të shprehur edhe te Profesore Aurela Anastasi, Akademike e Asociuar, gjatë një referati që ka mbajtur me rastin e nderimit të Profesor Ismet Elezit, me “Medaljen e Nderit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”, që e ka cilësuar një ngjarje të veçantë jo vetëm për jetën e tij, por dhe për vetë Akademinë e Shkencave, si dhe për gjithë shkencën juridike shqiptare. Duke përshkruar marrëdhëniet student-pedagog, profesore Aurela shprehet se: “Kam pasur fatin të zhvilloj leksionet e të drejtës penale, pjesa e posaçme, me Profesor Ismetin në vitin akademik 1985-1986,, por i ruaj të gjalla kujtimet mbi origjinalitetin dhe stilin e tij të veçantë të të shpjeguarit, saktësinë e mendimit dhe zhdërvjelltësinë e diskutimit. Sot jam në gjendje të vlerësoj më mirë, se Profesor Ismeti i kishte flakur tej skemat e kohës, pedantizmin dhe ndërlikimin e strukturës së shqipes në emër të shkencës”.  Për Personalitetin e Lartë Shkencor, përkushtimin dhe seriozitetin e respektin për auditorin, flet me vlerësime të përmasave superiore dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Dr. Bujar Leskaj, që di të vlerësoj dijet dhe njerëzit e ditur në shërbim të Kombit. Ai, e ka thirrur për një leksion në kuadrin e kualifikimit të punonjësve të aparatit të KLSh. Profesor Ismeti, edhe pse në një moshë madhore, nuk ka hezituar, por ka ligjëruar për më shumë se tre orë me një përgatitje maksimale, siç di të bëjë ai. E këtu më vjen ndërmend ajo sentenca e bukur franceze se: “Njeriu s’mund t’i vesh kurrë vetes parime që dalin jashtë karakterit të tij”.  I tillë është Profesor Ismet Elezi

Një jetë e kursyer për vete, e pa kursyer për të tjerët

Jeta është një pasuri e çmuar, shumëvlerash, për kontribute personale e shoqërore. Ka plot intelektual që jetën e menaxhojnë për interesa personale dhe që i takojnë vetëm familjes së tyre. Por ka dhe të tjerë që pasurinë e tyre intelektuale e venë në shërbim të shoqërisë, për t’i kontribuar asaj, drejt përparimit. Profesor Ismet Elezi, është ndër ata intelektual, që diellin e ka parë si burim energjie jo thjesht për të ngrohur oborrin e tij familjar, por për të ngrohur e ndriçuar gjithë shoqërinë shqiptare. Njerëzit e mëdhenj si Profesor Ismeti, nuk e shpërdorojnë jetën për të përfituar për interesa personale, por e përdorin atë për t’i dhënë sa më shumë dije e lumturi të tjerëve. Ai, ka qenë gjithmonë dhe është një prijës i së mirës shoqërore, i së mirës së përbashkët. Profesor Ismeti është një talent në fushën e jurisprudencës, që e kalon stekën e kohës. Tërë jetën e ka jetuar me dinjitet, personalitet, ne çdo pozicion që ka prekur deri në majat e drejtësisë shqiptare. Ka një veprimtari të pasur, të larmishme, me një mozaik krijimesh dhe një altruizëm të pashoq. Profesor Ismeti ka kaluar 95 vjetët. Simbol i njeriut  model, që flet pak dhe bën shumë dhe s’ka përfituar asgjë prej investimit të tij intelektual.

“Vetmia është fati i njerëzve të mëdhenj” thotë Shopenhauri. Por Profesor Ismeti, edhe pse në mungesë të bashkëshortes vetminë e ka sfiduar me punë dhe me praninë e fëmijëve dhe të nipërve dhe mbesave të mrekullueshëm. Qetësia shpirtërore, që pas shëndetit fizik është elementi kryesor për njeriun, ai e ka siguruar në mjedisin e shëndosh familjar. Burimin e lumturisë dhe paqes shpirtërore, ai e ka gjetur te puna pasionante për të komunikuar me njerëzit e dijes. Raporti mes të mirës e të keqes brenda vetëdijes së tij, ka ditur ta ndajë si nga ana morale dhe intelektuale. Nuk është tunduar kurrë nga pasuria, se e dinte fare mirë se atë mund ta humbasësh një ditë, ndërsa emri i mirë dhe lavdia nuk vdesin kurrë, trashëgohen në breza. Lavdia nuk vjen rastësisht. Ajo është bilanci i një rruge të gjatë, plot punë e përpjekje. Njeriu vlen për atë që mund të gjykohet nga personaliteti dhe vepra që le pas. Edhe pse është në moshën e tretë, energjitë intelektuale të profesor Ismetit, nuk kanë shteruar kurrë. Përveç jetës personale, ai bën dhe një jetë të dytë, jetën e mirëfilltë intelektuale. Një personalitet si Profesor Ismet Elezi, që është i pajisur me një botë të madhe shpirtërore, ka aftësinë dhe nevojën për të ushqyer një interes të veçantë për fushën e diturisë, jo më si pronë vetjake, por si kapital për të tjerët. Intelekti dhe vullneti se kanë lënë kurrë të bjerë në qetësi. Po të ndjekësh rrugën e gjatë gjithë jetës së tij, sheh qartazi se ai s’ka preferuar kurrë poste e pushtet. Në ndërgjegjen e tij ka sunduar pushteti i mirësisë së përbashkët. Ai, ka jetuar duke qenë i dobishëm jo vetëm për vete dhe familjen e tij, por dhe për të tjerët, për shoqërinë në tërësinë e saj. Ka një shpirt fisnik, me marrëdhënie ndërnjerëzore ideale. Afrimiteti i karakterit të tij, është të menduarit pozitiv për njerëzit sipas cilësive shpirtërore që manifestojnë. Por njëkohësisht nuk pajtohet me moralin e njerëzve të prishur, të njerëzve që kërkojnë të përfitojnë nga e mira e përbashkët në dëm të tjerëve, me padrejtësitë që përdor pushteti në kurriz të njerëzve të ndershëm. Sjellja e kulturuar, edukata dhe fisnikëria aristokratike, mendimi i mençur, shpirti i madh i Profesor Ismetit, është i veçantë dhe e ka ngritur folenë në lartësitë qiellore të diturisë shoqërore, si shqiponja në qiellin e pafundësisë. Ai, ka individualitetin e spikatur,karakterin e moralin tradicional të trashëguar në breza nga familja e tij, cilësitë intelektuale të fituara falë inteligjencës dhe punës së tij të palodhur, temperamentin e tij të qetë e të qëndrueshëm, përballë çdo stuhie që ngrihet nga hipokrizia e kohës. Jeta e tij, është një rrugëtim përmes disa sistemeve shoqërore dhe ka mbetur kudo vetvetja, duke marrë me vete një bagazh të madh kujdesi, korrektësie dhe zemërgjerësie. Padrejtësitë dhe pakënaqësitë, i ka përjetuar prozaikisht, duke i shpërfillur autorët, pa u dhënë rëndësi e peshën e duhur zhgënjimeve, duke zbutur zemërimin. Qetësinë shpirtërore dhe shëndetin moral, profesor Ismeti e gjen te përcjellja e dijeve tek të rinjtë, që punojnë në institucione shtetërore dhe kanë nevojë të përgatiten për jetën. Ishte kjo arsyeja dhe motivi, që edhe pse në moshë të rënduar, ju përgjigj pozitivisht ftesës të Dr. Bujar Leskës, për të mbajtur një ligjëratë në institucionin që drejton.

Profesor Ismeti, është modeli i njeriut shumëplanësh. Atë e nderojnë brezat bashkëshoqërues, për një fëmijëri plot sakrifica, me një rini të shndritshme, të pazakontë, me kontribute të çmuara në luftën antifashiste Nacional-Çlirimtare, me një arsimim tepër të suksesshëm, kudo shkëlqyeshëm dhe me një pleqëri që e ka sfiduar, duke punuar e krijuar vepra pa fund, në shërbim të vendit të vet.

Profesor Ismet Elezi, është dhe mbetet një  ishull i diturisë të Jurisprudencës, që duhet vizituar nga komuniteti i juristëve të gjithë brezave.

SHKARKO APP