Italiani që po kalonte kufirin me 50 mijë euro rrëfen pse s’i deklaroi: Isha me një mik shqiptar, por…
U kap me 50 mijë euro të padeklaruara, hetim në gjendje të lirë për italianin. Një shtetas italian do të hetohet në gjendje të lirë, pasi nga kontrolli në Pikën Kufitare të Portit të Durrësit, duke tentuar që të udhëtonte drejt vendit të tij, rezultoi se kishte një sasi të madhe parash të padeklaruara në çantë. Sipas Policisë, 61-vjeçari me iniciale A.G., u shoqërua në komisariat për disa orë deri në sqarimin e rrethanave, ndërsa më pas autoritetet shqiptare vendosën ta hetonin në gjendje të lirë.
Italiani gjatë marrjes në pyetje në Komisariatin e Policisë së Durrësit ka deklaruar para oficerëve se shuma prej 50 mijë eurosh që kishte me vete ishin para të pastra dhe vizita e tij në vendin tonë ishte me qëllim për të parë nga afër mundësinë e investimit, njofton Panorama.
61- vjeçari ka deklaruar se kishte ardhur në Shqipëri për të parë mundësinë e hapjes së një biznesi dhe paratë i kishte marrë me vete për t’i lënë si garanci nëse do të kishte rënë dakord me personat që kishte diskutuar për të ngritur biznesin. Nga ana tjetër, italiani nuk ka treguar detaje në lidhje me idetë dhe objektivat që kishte, ndërsa ka pohuar se do të kthehej në vendin e tij.
“Paratë janë të pastra, mund të hetoni. Madje mund t’ju sjell të gjithë dokumentacionin e burimit të tyre. Erdha pak ditë më parë në Shqipëri, për të parë mundësinë e ngritjes së një biznesi si bashkëortak me një mikun tim shqiptar, por kjo ide nuk u realizua pasi nuk ramë dakord. Kështu që po kthehem në vendin tim. Paratë nuk i deklarova sepse mundova se do të kishte procedura dhe mendova që të mos i tregoja”, ka pohuar 61-vjeçari.
Policia e Durrësit ka parë të arsyeshme të zhvillojë hetime në gjendje të lirë për shtetasin italian, ndërsa deklaron se paraprakisht mbi të rëndon akuza e “Mosdeklarimit në Pikën Kufitare të të hollave dhe sendeve me vlerë”. “Policia ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për shtetasin me iniciale A.G., 61 vjeç, lindur dhe banues në Itali. Më datë 02.12.2017, në Pikën e Kalimit Kufitar, gjatë kontrollit të përbashkët të kryer nga efektivët të DRKM me Doganën, në çantën e shtetasit të mësipërm u gjet një shumë parash prej 50.000 eurosh, për të cilat nuk ka kryer procedurat e deklarimit doganor”, bëhet e ditur nga Policia. Në bazë të ligjit, nëse italiani brenda një afati kohor nuk justifikon me dokumentacion burimin e parave, shuma bllokohet nga shteti shqiptar.