Ja autobusi elektrik që do të testohet nga Bashkia në rrugët e Tiranës
Brenda pak javëve, Bashkia e Tiranës do të fillojë në rrugët e kryeqytetit testimet për autobusët 100% elektrikë, fillimisht me një autobus Solaris Electric Urbino 12 metra, që është shpallur autobusi i vitit për 2017.
Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, se nëse ky test do të rezultojë i suksesshëm, Bashkia do të pilotojë më pas një linjë 100% me autobusë elektrikë. “Për pak javë, do të fillojnë testimet për autobusët 100% elektrikë, fillimisht me një autobus Solaris Electric Urbino 12 metra dhe pastaj edhe me kompani të tjera që kanë pranuar ftesën tonë për të testuar Tiranën. Pjesa më kritike e teknologjisë është paketa e baterisë, testohet për relievin, për frekuencën e stacioneve, sa herë hapen dhe mbyllen dyert, si impakton kjo kondicionimin dhe gjithë çështjet e tjera dhe besoj që pasi ti kemi eksperimentuar në rrugët kryesore, do t’u sjell një propozim në këshill që të jemi gati, edhe vetë të jemi operatorë dhe të rikthejmë një shërbim publik. Duke pasur minimalisht një linjë në duar të publikut kemi edhe një levë shumë më të fortë negociate edhe me operatorët privatë”, tha Veliaj.
Për të përmirësuar lëvizshmërinë në kryeqytet, Bashkia do të zbatojë edhe projektin për ndërtimin e dy terminaleve. “Lajmi tjetër i mirë është se së shpejti do të fillojë puna për dy terminalet e transportit. Në mënyrë të përkohshme e kemi stabilizuar te Qyteti Studenti dhe te ish-dogana, te Shqiponja me terminalet e përkohshme për të kaluar në terminalet pastaj të përhershme. Të gjitha këto projekte do të lehtësojnë dhe do të lehtësojnë por edhe do të disiplinojnë shumë situatën e mobilitetit në Tiranë”, tha Veliaj, ndërsa vlerësoi hapjen e Unazës së Madhe si një lehtësi për qarkullimin e automjeteve në kryeqytet.
Veliaj u shpreh se Bashkia do të ndërtojë edhe korsitë e dedikuara për biçikletat. “Këtë javë fillon puna për rrjetin minimal të biçikletave me investimin e Rrugës së Dibrës. Siç e keni parë, kush përfaqëson atë zonë është dëshmitar që, Rruga e Dibrës jemi momentalisht duke punuar edhe me atë shkallaren e çuditshme te Shkolla e Bashkuar, sot Ministria e Mbrojtjes, që të neutralizohet dhe të jetë në një nivel me tokën dhe në anën tjetër korsitë e biçikletave. Ndërkohë sapo kemi miratuar që përveç rrugës “Dritan Hoxha” që tashmë e kemi. të kemi edhe në Rrugën e Durrësit, Rrugën e Dibrës deri në Kinostudio, Rrugën e Kavajës nga qendra deri tek mbikalimi i Unazës së Re si dhe Bulevardi nga Universiteti Politeknik deri tek Lumi i Tiranës”, tha Veliaj.