Ja pse BE-ja e kërkon kaq shumë reformën  në drejtësi

 Nga Lavdrim Lita/Jetojmë në një kohë kur dalja e Britanisë nga BE është çështje kohe, vala e emigrantëve nga nga Lindja e Mesme dhe rritja e fondamentalizmit terrorist nën ombrellën e “Shtetit Islamik” nuk po ulet., si dhe vendet e Ballkanit Perendimor janë në një jo stabilitet politik. Zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Evropian është kthyer në një temë gjysmë tabu dhe për disa vite zyrtarisht nuk do të ketë asnjë anëtarësim të ri.

Në samitin e Parisit, presidenti francez Hollande i ndikuar nga rezultati i Brexit shprehu veç mbështetje për procesin e zgjerimi të Bashkimit Evropian. Dobia jonë për Bashkimin Europian në këto momente është afër zeros.

Megjithatë kancelaritë po ushtrojnë presion për të realizuar të ashtëquajturën reformë në drejtësi brenda 21 korrikut, në kuadër të procesit transformues të integrimit europian. Plotësimi i kushteve për të qenë anëtar në klub është në një nga levat ndikuese të Bashkimit Europian mbi vendet kandidate. Pas hyrjes në BE, fuqia e saj për të ndikuar në dinamikat e brendshme të një vendi anëtar reduktohet shumë dhe kjo justifikon në njëfarë mase aktivizimin e delegacioneve të BE-së në këtë fazë paraaderimi.

Për të përligjur këtë aktivizim përdoret precedenti i Rumanisë, ku ministrja Monika Makovei, e angazhuar për të reformuar sistemin e drejtësisë u shkarkua pas aderimit, apo rasti i Kroacisë ku fill pas aderimit në BE, qeveria kroate kërkoi të kufizonte mandatin e arrestit europian për të shpëtuar nga burgu Josip Perkovic, ish-drejtorin e shërbimit sekret kroat gjatë ekzistensës së Jugosllavisë.

Eksperienca e BE-së me vende si Rumania, Bullgaria apo së fundi edhe Kroacia, ka bërë që BE-ja të ndryshojë në strategjinë e zgjerimit renditjen e kapitujve negociues, pra, të fillojë me kapituj 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Në qoftë se vendet anëtare nuk tregojnë progres në lidhje me këto kapituj, atëherë nuk mund të hapen kapitujt e rinj, madje procesi i negociatave mund të ndalet plotësisht. Për këtë së fundmi është shembull Serbia e cila ka probleme me qëndrimin e Kroacisë për hapjen e negocimit të kapitullit 23 dhe 24, që sipas Zagrebit nuk janë përmbushur kriteret e luftës kundër kriminelëve të luftës.

Një ndryshim tjetër është se nga vendi kandidat pritet që para se të anëtarësohet në BE të përmirësoj qeverisjen ekonomike dhe fuqinë konkurruese në treg. Dhe qasja e tretë është përforcimi i institucioneve demokratike të vendit kandidat për në BE.

 Mirëpo nëse vërejmë sesi janë sistemet e drejtësisë dhe situatën politike në vendet e rajonit e kupton fare lehtë se do të jetë e vështirë të hedhin hapa të reja në drejtim të integrimit në BE.

Në Shqipëri, edhe pse nuk flitet për çelje negociatash as për negocim kapitujsh 23 dhe 24, reforma në drejtësi dhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit janë bërë çështje publike të një rëndësie parësore, kjo falë edhe pesë kërkesave të BE për hapjen e negociatave.

Si asnjë here më parë komunitetit ndërkombëtar është i interesuar për Shqipërinë në kohë paqeje dhe normaliteti. Presidenti i SHBA Obama, sekretari amerikan i Shtetit Kerry, Presidenti i BE Tusk, kreu i KE Juncker, shefja e Politikës së Jashtme Mogherini dhe liderja politike dhe ekonomike e Europës Angela Merkel dhe dyzinë zyrtarësh të tjerë kanë shpenzuar fjalë pro reformës në drejtësi duke sinjalizuar një interes të komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund tranzicionit në Shqipëri.

 Sido që të jetë, një gjë është e sigurtë, liderët e partive politike shqiptare në qeveri dhe opozitë po rrezikojnë shumë kapital politik me qëndrimet e tyre shtinjake për reformën në sistemin e drejtësisë që shihet si leva e vetme për të forcuar një dobësi strukturore të marrëdhënies së qytetarëve me shtetin: besimin. Dhënia e vendimeve të drejta, transparente dhe të pakontestueshme  të Gjykatave dhe dhënia fund e pabarazisë përpara ligjit do të çlironte një forcë morale që do të ekuilibronte shtetin dhe qytetarin.

SHKARKO APP