Ja pse duhet t’i presim krahëhapur refugjatët Sirianë

Nga Lavdrim Lita – Bllokimi i refugjatëve Sirianë në kufirin Greqi-Maqedoni-Serbi po shkakton një emergjencë të vërtetë humanitare në portat e Europës. Vendimi i 18 shkurtit në Zagreb, i shefave të policive të Austrisë, Kroacisë, Sllovenisë, Serbisë dhe Maqedonisë për një qasje të re ndaj fenomenit migrator përmes rrugës Ballkanike, në thelb ishte një mbyllje të kufijve të Europës për mijëra refugjatë dhe emigrantë të ardhur nga Lindja e Mesme. Mbyllja e kufijve dhe ngritja barrierave me tela me gjemba në Austri dhe Hungari, ka rënduar si pasojë barrën në shtetin e parë mikpritës europian, Greqinë, e cila është në vështirësi të mëdha dhe po negocion më fqinjët e saj, Shqipërinë dhe Bullgarinë për të lehtësuar fluksin.

E vërteta është se përgjigja shqiptare ndaj çështjes së refugjatëve sirianë dhe kërkesës së fqinjëve ka qenë një përgjigje e vakët. Më saktë qeveria shqiptare publikisht është mjaftuar me togfjalëshin “as do ti hapim e as do ti mbyllim kufijtë”. Logjika “as kështu dhe as ashtu” është për të fituar kohë, sepse ndërkohë janë ngritur struktura pritëse në jug të vendit.
Në 25 vitet e fundit shqiptarët kanë dëshmuar se i kanë depërtuar kufijtë e vendeve fqinje për një jetë më të mirë, çka anasjelltas duhet jetë më e lehtë. Refugjatët sirianë janë as më shumë e as më pak si rasti i refugjatëve hebrenj paraluftës së dytë Botërore apo i rasti i refugjatëve kosovarë në Maqedoni në vitin 1999. Lufta i ka rrezikuar ekzistencën dhe dinjitetin një popullate në nevojë.
Shqiptarët duhet t’i përgjigjen kërkesës për të ndihmuar në krizën e refugjatëve për një sërë arsyesh:
Së pari, arsyeja është humanitare. Ne kemi detyrën njerëzore për të ndihmuar njerëzit në nevojë: për t’u dhënë strehë, bukë, ujë, kripë, zemër dhe një urë për në Europë sidomos për njerëzit që ikin nga lufta dhe persekutimi. Kushtetuta dhe librat e shenjtë të shqiptarëve na mësojnë respektimin e dinjitetit të Njeriut. Ne kemi një përvojë të mirë me refugjatët hebre të strehuar në Shqipëri mes dy luftërash botërore dhe ne jemi po ata që pritët krah hapur gjakun tonë në 1999. Kur ne kemi pasur nevojë, popujt e tjerë na kanë ndihmuar shumë më shumë.
Së dyti, ne si shoqëri duhet të tregojmë se jemi të dobishëm për të tjerët. Në radhë të parë duhet të tregojmë se jemi të dobiprurës për veten tonë dhe në radhë të dytë për partnerët, në këtë rast për Bashkimin Europian, që ndodhet në vështirësi për menaxhuar një situatë të jashtëzakonshme dhe po kërkon aleatë në rajon; dhe Maqedonasit dhe Serbët e kanë kuptuar politikën e dobiprurjes sepse kanë kuptuar që zgjidhja do të jetë në nivel europian. Një qytetar apo shtet evropian kur shikon sesi shteti shqiptar qëndron pasiv dhe i ftohtë përballë një tragjedie pak kilometra nga kufiri i saj mund të mendojë çfarë dobie kanë shqiptarët për ne? Pse nuk ndihmojnë? Apo mos duan vetëm të përfitojnë?
Së treti, Shqipëria do të përfitonte shumë në imazhin e saj ndërkombëtar duke u treguar mikpritëse me refugjatët sirianë. Një politikë e qëndrueshme e dyerve të hapura do të ndihmonte në përmirësim e imazhit dhe do të ndërkombëtarizonte e fuqizonte faktorin shqiptar kudo. Vetë Gjermania dhe Serbia kanë përfituar nga përmirësimi i imazhit me refugjatët. Ndonëse Gjermania në mënyrë indirekte, Serbia e ka bërë qëllimisht strategjinë e përmirësimit të imazhit, nga një vend luftësjellës në një vend humanitar në rastin e asistencës për refugjatët. Vetëizolimi nuk është zgjidhje.
Së katërti, Shqipëria do të përfitonte hipotetikisht shumë nga fuqia punëtore siriane nëse sirianët do të ndalonin në Shqipëri. Nëse është e vërtetë që vendit i duhet profesionistë në disa fusha këto mund t’i gjejmë tek sirianët, e cila është një popullsi tejet të kualifikuar dhe për këtë ka studime të njohura. Ne kemi modelin e refugjatëve kosovarë në Durrës dhe Tiranë, të cilët kanë ndërtuar dhe bërë biznes me qytetin.
Së pesti, nëse refugjatët sirianë dhe emigrantët e tjerë do të vendosin të kalojnë në Shqipëri nuk ka shtet që i ndalon sepse ne nuk jemi një regjim totalitar dhe këtë gjë se kanë bërë asnjë vend rrotull nesh. Pra, urtia do të ishte të menaxhohej situata me kapacitetet që janë aktualisht duke përfituar nga mundësia e të qenit njëherë në botë të dobishëm për të tjerët.
*Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. MA në Kolegjin Europës.

SHKARKO APP