Ja si funksionon prostitucioni virtual në Shqipëri
Një numër i madh vajzash shqiptare punojnë nëpër studio të paregjistruara dhe kryejnë seks virtual nëpëmjet chatit.
Në Shqipëri janë duke funksionuar disa studio që punësojnë vajza, të cilat nëpërmjet chatit flasin në internet me klientë të huaj që u kërkojnë favore me sfond erotik. Gjithçka kryhet nëpërmjet monitorit të kompjuterit.
Janë vajza që për të fituar diçka më shumë bëjnë këtë punë të pazakontë, e cila paguhet mire.
Këto studio punojnë në fshehtësi, nëpër apartamente në lagje të ndryshme të Tiranës. Nuk kanë emër, nuk janë të regjistruara. Shpesh herë pronarët u japin nga një laptop vajzave të punësuara për të punuar në shtëpi e në këtë mënyrë u shmangen kontrolleve të policisë në banesa. Mjafton një kompjuter, një linjë internet dhe aksesi në këtë linjë dhe mund të fillosh punë.
Vajzat paguhen me kredite, d.m.th sa më shumë të mbajnë klientin në linjë, aq më shumë paguhen.
Fiks Fare solli sot rastin e tre studiove të tilla që punojnë në kryeqytet.
Gazetarët e Fiks Fare u nisën nga ankesat e banorëve të një pallati pranë ambulancës së specialiteteve në kryeqytet.
Ata ankoheshin se vazhdimisht dëgjojnë zhurma të pazakonta nga një apartament ku shohin që hyjnë vetëm vajza.
Gazetarja e Fiks Fare u paraqit në këtë studio për të kërkuar punë në një call center. Pronarja e studios nervozohet dhe kërkon me këmbëngulje të dijë se kush është personi që e ka adresuar në atë shtëpi gazetaren e prezantuar si studente që kërkonte punë.
Por në fund të bisedës i merr numrin e telefonit gazetares.
Pasi gazetarja e Fiks Fare largohet nga kjo studio, në telefon i mbërrin një mesazh nga një vajzë, e cila i bën një ofertë pune në emër të një studioje tjetër chati.
Menaxherja vjen dhe prezantohet me gazetaren në një lokal në zonën e “21 Dhjetorit” në kryeqytet. Ajo tregon se numrin e telefonit ia ka dhënë pronarja e studios së parë ku është prezantuar gazetarja. Madje tregon se është një studio që ka të punësuara me turne shtatë vajza, të cilat bëjnë këtë punë, prostitucionin virtual.
Tregon se është duke rekrutuar vajza që duan të punojnë në këtë lloj chati.
Që të punësohesh pranë këtyre studiove, na tregon se duhet të kesh njohuri të gjuhës angleze, pasi kompania mëmë me të cilën janë të lidhua ndodhet në Angli.
Madje pranon se janë të paregjistruar në Shqipëri. Punojnë në mënyrë ilegale, pasi sipas saj, taksat i paguajnë në Angli.
“Është një lloj chati me klientë të huaj, biseda në anglisht. Në bazë të krediteve që fiton, paguhesh. D.m.th sa më shumë minuta ta mbash klientin në linjën tënde, aq më shumë paguhesh”
Ambjenti ku ato punojnë është një garsonierë e marrë me qera në një kompleks të ri pallatesh pranë Qytetit Studenti në Tiranë.
Nëse arrin të punësohesh, paguhesh me kredite, merr 25 % të krediteve, ku çdo kredit është i barabartë me një minutë në linjë dhe çdo minutë paguhet. Ka vajza që arrijnë të fitojnë edhe 18 mijë lekë të reja në natë, madje edhe 200 mijë lekë të reja, varet sa gjatë e mban klientin në linjë.
Menaxherja e siguron gazetaren se paga e saj mujore mund të shkojë 80 mijë lekë të reja në muaj.
Pas këtij takimi në kafene, gazetarja shkon të shikojë vendin e punës.
Në këtë studio në momentin kur gazetarja ka hyrë, mungonte lidhja e internetit.
Menaxherja. e cila punon edhe ajo në studion e saj. ka një pseudonim “Megi”
I tregon mjetet e punës, të cilat janë disa lodra seksuale dhe veshje të brendshme. Ajo e njeh gazetaren me programin që përdorin në kompjuter dhe pohon se është prostitucion virtual dhe se askush nuk i kap kur punojne neper keto shtepi te marra me qera.
Studioja e tretë ndodhet në një apartament në zonën e njohur si Astiri, në Unazën e re në Tiranë
Edhe në këtë studio takojmë menaxheren. Është një vajzë 20- vjecare, që e ka filluar këtë punë që në moshën 18 vjece.
Na tregon studion, e cila ka pesë kompjutera me web kamera, të brendshme femrash. Sipas saj, pronari i kësaj qendre ka një dyqan kompjuterash, ka 8 vjet që bën këtë punë dhe është personi i dytë në Shqipëri që ka hapur një studio të tillë.
Menaxherja i rekomandon gazetares së prezantuar si vajzë që kërkonte punë, që të mos jepte identitetin e vërtetë, pasaportën në momentin kur kërkon punë në këto studio, pasi më pas kur mund të duash të largohesh, pronarët e studiove nuk të lejojnë, duke të bërë shantazh.
Gjatë rrëfimit të saj tregon se kishte rënë në depresion për një periudhë tre mujore gjatë këtyre dy vjetëve, madje kishte tentuar të vriste edhe veten.
Shqetësimi i përhershëm i këtyre vajzave që punojnë në këto studio është si të largohen nga kjo lloj pune, pasi në momentin qe do te largohesh nga një studio, pronarët të shantazhojnë, pasi dinë gjithcka për ty dhe ekziston mundësia e hedhjes së filmimeve në Youtube.
Menaxherja e kësaj studioje, tregon përvojën e saj në disa studio të tjera. Studioja e Dafnit, sic i therret ajo njërës prej pronareve, u mëson shtëpitë vajzave që punëson, ka disa djem që u bëjnë presion vajzave që punojnë në mënyrë që të mos shkëputen nga studio.
Një tjetër studio, tregon vajza, është një që ndodhet tek “Komuna e Parisit”, që e quan si “studio ndëshkimi”. Atje vajzat që punojnë i detyrojnë të kryejnë veprime perverse dhe të dhimbshme.