Java e katërt e aksionit – U regjistruan 3 mijë subjekte të reja. Mblidhen 1.2 miliardë lekë borxhe
Aksioni anti informalitet ka përmbyllur javën e katërt, ku rezultatet vijojnë të bëhen më të dukshme në terma statistikorë.
Javën e fundit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka përshpejtuar ritmin e kontrolleve tatimore, duke përfunduar 2217 të tilla. Edhe pse shumica e këtyre kontrolleve (74%) zhvillohen nga zyra, ato kanë dhënë rezultate, sidomos në ndryshimin e përgjegjësisë tatimore të subjekteve. Kjo do të thotë se një subjekt është riklasifikuar në një hallkë tjetër, duke kaluar nga biznes i vogël në biznes të mesëm, ose duke ndryshuar nënkategoritë brenda biznesit të vogël.
Këtë kapërcim, që rezulton me pagesën e taksave më të larta, e kanë bërë javën e katërt 234 biznese, ndërsa përgjatë këtyre katër javëve numri i bizneseve që ndryshuan përgjegjësinë tatimore ishte 1153 subjekte. Sipas të dhënave të DPT, Tirana ka dhe numrin më të madh me 641 subjekte, ndjekur nga Durrësi me 154 dhe Vlora me 93.
Po këto kontrolle u shoqëruan me gjetjen e mbi 555 milionë lekëve, ndërsa raporti i gjetjeve me penalitetet është 73% me 27%.
Kontrolle kanë zhvilluar edhe strukturat e hetimit tatimor dhe zbatimit. 22% e 11,166 subjekteve të verifikuara kanë rezultuar me shkelje dhe janë penalizuar.
Si rezultat i kontrolleve janë futur në skemën e sigurimeve shoqërore 506 punonjës, ndërsa janë mbyllur 319 subjekte të paregjistruar, ose që kanë përësëitur shkelje të tjera, si moslëshimi i kuponit tatimor.
Aksioni ka sjellë edhe regjistrimin e 2941 subjekteve të reja, si dhe aktivizimin e 645 bizneseve të tjera.
Gjatë zhvillimit të aksionit antiinformalitet, tatimet kanë vijuar edhe me mbledhjen e detyrimeve të papaguara, ku kanë reaguar pozitivisht 2035 subjekte, për një vlerë totale pagesash prej 1.25 miliardë lekë.