Java Kombëtare e Kulturës Shqipëri-Kosovë, Rama poston fotot: Nisi nga Tropoja me ”Next Generation”
Java Kombëtare e Kulturës Shqipëri-Kosovë nisi nga Tropoja me ”Next Generation”, duke e kthyer qytetin në një laborator krijimtarie, dialogu dhe diplomacie kulturore me mbi 200 të rinj pjesëmarrës.
Kryeministri Edi Rama ndau një fotoalbum nga nisja e Javës Kombëtare të Kulturës Shqipëri-Kosovë. Forume, panele, ekspozita dhe performanca bashkuan artistë, profesionistë dhe organizata nga të dy vendet, duke ndërtuar ura bashkëpunimi në kinematografi, trashëgimi kulturore, artet bashkëkohore, muzikë dhe gastronomi kreative, theksoi kreu i qeverisë.
Edicioni i parë i Next Generation u mbajt në datat 21 dhe 22 nëntor dhe është një projekt që synon të krijojë një hapësirë të përbashkët për artistët dhe të rinjtë nga Shqipëria dhe Kosova. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare dhe sipas organizatorëve u zgjodh Tropoja, sepse është një nga vendet ku marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës ka qenë gjithmonë organike, ku kulturat nuk takohen për herë të parë, por rikthehen tek njëra-tjetra.
Tropoja ofron terrenin e duhur për të ndërtuar një model të ri diplomacie kulturore, të bazuar në kreativitet, bashkëpunim dhe art që buron nga brezi i ri. Programi i dy ditëve përfshiu forume, performanca, punëtori, ekspozita dhe aktivitete interaktive, të cilat bashkojnë disiplinat kryesore kreative kinematografi, debate, rrëfime dhe bashkëpunime të reja mes krijuesve filmikë.
KOHA JONË SONDAZH

