
Deputetja e PS-së, Elisa Spiropali flet për herë të parë për Belinda Balluku, ku kundërshtoi modelin që ka ish-zv/kryeministrja në PS dhe në qeverisje.
Elisa Spiropali akuzoi në Top Story se “modeli Belinda Balluku është modeli më i keq në qeverisje”. E pyetur nga analistët në studio se cili është “modeli Balluku” ajo hezitoi ta sqaronte por foli në përgjithësi, duke u hutuar nga analiza e saj për situatën politike në PS. Me tej ajo tha se ‘”Dua t’i jap fund telenovelës së diskutimeve dhe fjalëve të nxjerra nga Asambleja. Kam zgjedhur të mos i komentoj këto ditë, sepse fjala që mbajta në Asamble nuk ka asnjë lidhje me atë që është thënë në publik dhe ky nuk është faji juaj. Zgjodha të flas për një fjalim personal, madje as me statutin dhe zgjedhjet nuk kishte lidhje.
Nëse aty në Asamble, në fytyrat tona, dukej se kishte shumëçka për të qarë, në këtë reflektim të mëvonshëm duket se ka shumëçka për të qeshur. Unë kam folur shumë pak, nuk i kam dhënë ushqim debatit publik, ku është folur shumë për mua, është spekuluar dhe janë marrë vendime që nuk kanë asnjë lidhje logjike. Nuk pati as propozime, as vendime, as statut, sepse nuk ka më procese të tilla.
Jemi në vitin 2026 dhe partitë tona refuzojnë të respektojnë rregullat e lojës. Kjo nuk ka lidhje me PS-në, por duhet ta them këtë, sepse sot që flasim nuk do ta vë as udhëheqjen e partisë sime dhe as partinë time në pozitën qesharake që të duhet të vendosë për një vendim pa vendim. Kam dëgjuar këto ditë Klosin dhe po ju them që më vjen keq, më vjen turp ta shoh sekretarin e përgjithshëm të PS-së që i duhet të shkojë studio më studio dhe të diskutojë për një vendim pa vendim dhe ”përjashtim””, u shpreh Spiropali.
E pyetur edhe nëse ndihet e përjashtuar nga PS, Spiropali deklaroi se e konsideron nder të jetë anëtare e thjeshtë e kësaj force politike. Ajo theksoi se legjitimiteti i partisë buron nga anëtarësia dhe kritikoi abuzimin me pushtetin dhe manipulimin. ”E kam për nder të jem anëtare e thjeshtë e PS-së. Nga anëtari i PS-së buron legjitimiteti. Turp është të vjedhësh, të abuzosh me pushtetin, të manipulosh publikun. Dhe në të gjithë këtë propozim pa vendim dhe pa votim, unë nuk kam ndërmend të merrem dhe nuk dua të vë askënd në asnjë vështirësi. Shkova dje në Kuvend, se nuk di të jetë marrë ndonjë vendim në këtë forum. Nuk më lëviz qerpiku për Asamblenë apo forume të tjera”, tha ajo.
