Jemi popull administratë, jo popull që të rrëzojmë

 Nga Ilir Levonja/Po shoh në shtyp një lloj aludimi për rrëzimin e Ramës, për shkak të atyre milionave që u vodhën në aeroportin e Rinasit. Mirëpo nga ana tjetër është një rrebesh i tërë që vlon duke na kujtuar se sa serb është Sali Berisha. Madje ka nga ata shkrues që akoma vazhdojnë e i bien Berishës, duke e konsideruar veten, edhe pse kanë tre vjet në pushtet, si opozitarë të përjetshëm. Drejtimi i tyre është Berisha. Jo euro të vidhen, jo edukatore të rrahin kalamaj, jo rryshfete, jo papunësi të ketë etj…, drejtimi i tyre është Berisha. Për ta rëndësi ka që mposhtën Lazaratin. Po, nuk ia paska vluar brinjtë vendit me kanabis Kurveleshi e me radhë. Rëndësi ka të mos u prishen pritshmëritë në lidhje me ndonjë tender, a të tjera përfitime.
Kjo nga fakti i të aderuarit në rrëzimin e Berishës, jo qeverisjen e vendit.
Madje, madje nuk i hap dot webet tona se vetëm Ngjela, kampioni i dështimit, nuk di asgjë tjetër veç Berisha, Berisha, Berisha. Aq sa nganjëherë më dhimbset pasi më kujton punën e manjakut karshi një ylli kinemaje.
Kaq seks i çmendur i duket Berisha të ziut?
A njeh kush ndonjë nga ato plakat që fryjnë, se, kushedi e kanë ngrën sysh të gjorin?
Këto kohët e fundit i është bërë aleate edhe një çupë nga Shkodra. Një që humbi në zgjedhjet e fundit. Rri e përditë dhe Berisha. Kështu e ashtu. I duket kështu, e i duket ashtu.
Priteni kur ta shihni shumë shpejt, në ndonjë dikaster a ambasadë.
Para ca kohëve një e tillë me syze, doli papritur aq sa i habiti socialistët e ndershëm. Vinte nga Franca dhe na premtoi se do bënte edhe Shqipërinë ashtu. Tani ka zënë një post ministri dhe bën manovra si të shkatërrojë statutin e nënpunësit civil.
Kështu lindin kuadrot tek ne, ata që drejtojnë dikasteret, shtetarët tanë. Po, po kështu bëhesh edhe president.
Pra njerëzit, e kanë mendjen të rrëzojnë Berishën. Asesi Ramën.
Dhe rrëzimi tjetër përmes dorëheqjes është mallkim për ne.
Por kjo është kultura jonë demokratike.
Një lloj salloni me aromë uthulle të prishur.
Ndaj kur aludohet për dorëheqje të vjen për të qeshur.
Stacionet valore shqiptare nuk pushojnë së treguari me qejf se si e kanë ndërtuar skemën e grabitjes. Si nëpër fillma. Plot 3 minuta. Dhe tani nga pas kanë zënë me deklarata e kundër deklarata, jo porta të takonte ty. Kurse gardhi mua. Jo e ka fajin ky, jo e ka ai. Jo kishim armë. Jo nuk kishim.
Vetëm në Shqipëri kujdestarët e parave janë rastësisht të paarmatosur?!
Nuk ka asnjë diskutim se me atë lloj hedhje e pritje topash, me kompani fantazmë, edhe punëtori më naiv do bëhej hajdut. Të rrosh mes parave duhet të kesh nerva të forta.
Ndaj gjithçka ndodhi për 3 minuta.
Mirëpo gjetkë është tema jonë, tek rrëzimi. Ose dorëheqja. Dhe faktorët e domosdoshëm që duhen për të funksionuar demokracia.
Po të shohësh statutet e Kryeministrit, i përkasin triumfit mbi Bosfor.
Dhe vdekjes se Michel Rocard-it, majtistit francez. Dhe siç e kemi ne që vdesim për tu mburrur me emrin e tjetrit. Edhe ky i yni këtë po bën. Edhe pse Rocardi është një histori politike nga Miterani e deri tek aleanca me Sarkozin…, një histori shuplakë për pashallëkun e Edi Ramës. Për faktin e konkurencës, politikave vërtet socialiste si paga minimale. Gjë që rilindasi ynë as që kuptohet se çfarë është? Socialist majtist? Socilist djathtist? Apo asgjë.? Mjaft që është aty.
Këtij rilindasi oriental që i mburret popullit të vet, krejt të sharguar me ca video me makinë të blinduar me pashain Erdogan.
Dhe që nga ana tjetër, për një apo dy arsye, mbeti duke i bërë karshillëk butaforik Greqisë. Aq sa në një mbledhje partie minoritarësh i bën opozitë, opozitës.
Dhe nuk ka faj, ka gjetur. Deri sa opozita reale mbeti duke bërë vetëm denoncime. Një lloj plagjiature e shpifur që demokracia e kohës e ka braktisur prej kohësh.
Vetë shkëlqesia e tij as që është kthyer nga vjedhja e Rinasit. Dhe e meriton të rrëzohet. Por nga kush?
Ato para që ka, i ka të siguruara. Për vete është në rregull. I mjafton ajo administratë qaramanësh që e shikojnë si perëndi. Dhe me gjysmë zemre që të mos u bërtasi e shajë nga mamaja. Kaq…, të tjerat janë një luftë e ashpër me Berishën. Një lloj frymëzimi kaq impresionues, sa jo njëzetë e pesë vite të kalojnë, por edhe një shekull. Sa të jetë urrejtja për Berishën ai do mbretërojë. Sepse e di fare mirë, që ai po drejton një popull administratë. Jo një popull
që të kërkon llogari për thërrimet e bukës.
Paratë e Rinasit i përkasin haraçit që paguan një popull i papunë.
Por në të njëjtën kohë, edhe një popull administratë.
Janë taksat e atij trualli që në raport me aeroportet e tjera ka çmimet më të kripura. Kjo për shkak të kontratave absurde të shushunjave nga administratat e pashallarëve.
Çudia tre ditë do zgjasi.
Tani për tani le të kënaqemi me atë makinën e kuqe, që futet për qejf, ngarkohet për qejf, ikën për qejf. Madje digjet për qejf.
O njerëz, rrëzohuni vetë, dorëhiquni vetë se Ramën ta gëzoni dhe ca legjilsatura të tjera.
Pra kush do ta rrëzojë Ramën?
Tashmë e kam bindje, se, pa një nerv të fortë social, vetëm pashallarë do kemi.

SHKARKO APP