Jeta dorën ty nuk ta dha, Lamtumirë Gentian Demaliaj

Albina Gjergji

Jo mos qaj ti o njeri i vetmuar

Se jeta dorën ty nuk ta dha

I lënë në mes të rrugës

Ti dhimbjen mban ne krah

Në qiell je…

Në qiell, atje ku prehen engjëjt ik dhe ti.

Mbase nuk janë këto vargjet, me tingujt e së cilës do donte t’i mblidhte familjarët e miqtë e tij Gentian Demaliaj, por me këto vargje mund të përshkruhet më së miri kalvari i vuajtjeve të tij vitet fundit. E sikur ta parandjente ikjen e parakohshme, pas vetes ai ka lënë një “arsenal” me këngë plot mesazh, por më shumë me trishtim.

Gentian Demaliaj është ndarë nga jeta ditën e djeshme. Në pikun e jetës e të krijimtarisë, këngëtari i mirënjohur, vokalist i grupit “Djemtë e Detit” shuhet nga një sëmundje e rëndë prej së cilës vuante prej disa kohësh. Në vitin 2013 Demaliaj u diagnostikua me kancer dhe që atëherë ka ndjekur kimioterapi intensive në Tiranë dhe Itali. Po në vitin 2013, më 10 prill me vendim të Këshillit të Ministrave iu akordua edhe një fond i veçantë për një kurim më të specializuar jashtë vendit.

Asokohe qeveria shqiptare akorodi shumën prej 3.5 milionë lekësh (të reja). Lideri (vokalisti) i grupit të njohur “Djemtë e Detit”, ishte i martuar dhe nga martesa e tij ka një vajzë me emrin Edea, edhe ajo këngëtare, e cila ka fituar në Festivalin e Shkodrës, çmimin “Zërat më të mirë”, në Festivalin e Tiranës u vlerësua me çmimin “Interpretuesja më e mirë”, ndërsa aktualisht merr pjesë në konkursin muzikor për talentët e rinj, “X Factor Albania”. Gentian Demailaj do të mbahet mend gjatë për frymën e re që solli në rock-un shqiptar si një ndër vokalet më të mira të viteve ‘90, si tekst shkrues i këngëve të grupit ku bënte pjesë, si dhe për hitet e mëdha që u dhuroi shqiptarëve. Kujtojmë këtu, “Baladë për Jakup Ferrin”, “Ëndrrat që për ty i thura”, “Jo tani”, “Mos qaj”, Lamtumirë”, “Zemërthyeri”, “Kohë pa ty”, “Dhimbje”, albumin “Epos”,rikthim  bashkë me mikun dhe kolegun e tij, Valentin Markvukaj”, etj.. “Djemtë e Detit” u krijuan në vitin 1990. I krijuar në Lezhë, muzika e tyre e hershme kishte ndikime të qarta nga hard-rocku dhe metali, që në mesin e viteve ‘80 ishte shumë aktual në të gjithë botën. Prezent në skenën e muzikës për më shumë se 10 vjet, hiti i tyre më i pëlqyer nga pjesa më e madhe e publikut mund të konsiderohet kënga “Mos qaj”, një baladë, e cila padyshim mund dhe duhet të hyjë në antologjinë e rock-ut shqiptar. Djemtë e Detit kanë marrë pjesë në shumë koncerte dhe festivale dhe sigurisht çmimet nuk kanë munguar. Kanë kryesuar në festivale rock-u, si dhe janë vlerësuar nga publiku në mënyrë të jashtëzakonshme. Në përmbyllje të fazës së parë të karrierës së tyre, ata publikojnë edhe albumin e tyre të parë “Izolimi vdes”, i cili përmblodhi krijimet e djemve, ndërsa albumi i radhës dhe i fundit “Epos”, i riktheu përsëri në vëmendjen tonë. Me bazë rock, në këtë album Demaliaj dhe Valentin Markvukaj eksperimentuan në disa këngë, duke përzierë edhe gjini të tjera me motive folklorike. Albumi në tërësi u cilësua si një ekperiencë e re muzikore për grupin dhe sigurisht për publikun.

Dalja e fundit në publik e Gentian Demaliaj ka qenë në emisionin “Jo vetëm modë” të moderatores Floriana Garo përpara disa muajsh. Në këtë emision dedikuar posaçërisht atij dhe grupit “Djemtë e Detit” Demailaj rrëfeu jetën e tij, aventurat, fillimet dhe sukseset në muzikë. Gentian Demaliaj u nda nga jeta në moshën 41-vjeçare, duke lënë pas një krijimtari të pasur për artdashësit e tij dhe brezat në vazhdim. Homazhet do të zhvillohen sot në orën 12:30 pranë Radiotelevizionit Shqiptar.

 

SHKARKO APP