Jeta pezull në lagjen e luksit në Athinë

 

Rrugët e Kifissia-s, në veri të Athinës, janë të mbushura me pemë dhe dyqane të shtrenjta. Aty gjen këpucë Valentino, unaza diamanti dhe pajisje për jahtet. Njerëzit kanë para për të shpenzuar, por nuk po shpenzojnë për momentin

Nga Jasmine Coleman, BBC

 

Nikki, 34 vjeç, është ulur me mikeshën e saj, Maria, jashtë dyqanit ku shet këpucë fëmijësh.

Ajo po kontrollon telefonin dhe sytë i hedh ndonjëherë nga dera kryesore. Megjithatë asnjë klient nuk duket.

“Po presim të na thonë se çfarë do ndodhë me bankat. Nuk mund të bëjmë asgjë,” thotë ajo.

“Cool” dhe shik, Kifissia është një nga zonat më të pasura në Athinë. Është po ashtu një nga të paktat në kryeqytet, ku njerëzit votuan PO në referendumin e së dielës.

Një shumicë prej 61.3 përqind e grekëve votuan JO për paketën e ndihmës të ofruar nga kreditorët ndërkombëtarë, por në Kifissia, njerëzit refuzuan premtimet e qeverisë për një marrëveshje më të mirë.

Shumica e njerëzve këtu, 63.9 përqind, duan që vendi të pranojë paketën e ndihmës dhe t’i nënshtrohet masave të kursimit.

“Ndoshta të pasurit e përballojnë votën PO,” thotë një shitës, ndërsa ngre vetullën.

Por tani e ardhmja e vendit mbetet në duart e radikalëve të majtë të Syriza-s, ndërsa qeveria po mban bsiedime urgjente me ministrat e Financave të Eurozonës.

Fati i disave lidhet me shpenzimet që bëjnë të huajt. Pronari i një argjendarie të shtrenjtë është me fat kur një klient blen dy varëse.

Nicole Kharma, 48 vjeç, vjen nga Singapori. Ajo ka ardhur e përgatitur, me një tufë me monedha 50-euroshe me vete.

Ndërkohë që ajo numëron paratë, pronari i argjendarisë, Stavros Metaxas shpjegon: “Klientët e huaj janë shumë të rëndësishëm. Grekët po presin çfarë do të ndodhë me krizën dhe nuk duan të shpenzojnë”.

Grekët mund të tërheqin vetëm 50 ose 60 euro në ditë për shkak të kontrollit të kapitalit- çka nuk vlen për të huajt. Por dyqanet kanë nevojë për cash se sa për karta krediti.

“Nëse nuk marrin paratë, furnizuesit tanë nuk do sjellin mall,” thotë Metaxas.

Kharma thotë se ka mundur të tërheqë deri në 500 euro në ditë me kartën e kreditit, por thotë se është e trishtuar nga ajo që sheh.

“Kur ti merr 500 euro dhe sheh se të tjerët mund të tërheqin vetëm 50, kjo është e trishtë”

Grekët në Kiffissia po presin, për momentin jeta e tyre është pezull, kurse e ardhmja në duart e të tjerëve.

SHKARKO APP