Jo çdo akt terrorist i përket ISIS-it

Nga Ilir Levonja/Çfarë ndodhi mesnatën e herët të 12 qershorit në Orlando, është plotësisht homofobia e njeriut karshi njeriut. Ose pasojat e jetës prej njerëzve me nerva të tendosuara. Karshi atyre që jetojnë shfrenimin. Por kjo është bota e lirë. Dhe sado masa të marrin qeveritë, sado interpretime të bëhen, fati është prapë një mister. Dhe ne nuk na mbetet të themi që, mos e paçim rrisk.
Sot ka një vërshim akuzash rreth shtetit islamik ISIS që po i bën karshillëk në fushat me rërë të Persisë, botës sonë…, sa moderne aq edhe të frustuar për shkak të një sërë dështimesh të papranueshme për mëndjet e hekurosura të politikës.
Kjo është një lojë që tashmë po bëhet bajate. Por që çuditërisht po funksionon. Thuajse e shumta e familjeve muslimane ndihen të paragjykuara. Ku për rrjedhojë fëmijët e tyre e shohin botën e lirë me vetulla të ngrysura.

Por kjo nuk do të thotë aspak se ata janë xhihadistë. Eshtë ajo kohë njerëzore kur indinjatën e pluhuros, ose mbyt arsyeja. Dhe sado të njihen për temperemant të keq njerëzit nga fushat me rërë etj., prapë nuk mund të themi se janë struktura të terrorizmit. Amerika ka shembuj me shumicë të homofobisë. Të vrasjeve të paparashikuar të kësaj natyre. Pra në masë. Por edhe shembuj që nuk kanë lidhje fare me lidhjet radikale të besimeve. Thjesht me mendjet personale që u përgjigjen edhe frymëzimeve të filmave. Madje me një gjakftohtësi që nuk e rrok dot imagjinata njerëzore. Këta nuk janë as radikalë, as të varfër, as të pamundur për të punuar. Dhe as të papunë depresivë. Jo, nuk janë të tillë. Thjesht janë mëndje më vete. Krejt ishullorë. Aq sa gjithçka e së përditshmes u bezdisë retinën e syve.
Orlando dhe shteti i Floridës në përgjithësi është sot edhe një lloj vendi më pak i paragjykuar se veriu i Amerikës. Aq më tepër Orlando. Vendi ku fantazia njerëzore e Walt Disney-it ka bëre realitet botën magjike. Janë me mijra hektarë tokë vetëm fantazi. Ndaj pjesë e madhe e qytetarëve me prirje të ndryshme seksuale, vinë e jetojnë këtu. Shto edhe për avantazhet e klimës së ngrohtë gjatë gjithë vitit. Tubimet dhe grupimet, nuk janë vetëm privilegj i tyre. Por i të gjitha llojeve që ka nepsi njerëzor.

Për shkak edhe të hapësirave fushore, shikon grupe motoçiklistësh që vetëm demonstrojnë shijet dhe pasionin për dyrrotëshin, aty ku vetëm fryma e botës quhet plotësisht e shuar. Ujë, kënetë, fushë, krokodilë dhe rrugë që vetëm humbin. Po kështu edhe në mes të ujdhesave ku lundrojnë jahtet, ku prehen të zbrazta vila me çmime marramendëse të milionerëve që kanë pushtuar buzët e ujrave. Mblidhen plot fantazista, djem, burra, vajza të reja, nëna me fëmijë, gjyshër. Afrojnë rreth barkat e vogla, rrinë gjysëm trupi në ujë dhe shijojnë birra.

Thjesht e krenar ndaj të drejtës universale të njëriut si pronar i përbashkët i planetit tokë. Ndofta edhe për t’i thënë vilës përballë, arkitekturës së kolonizatorëve, ku shullohen iguanat se, si milioneri si ai i shfrenuari aty në ujë, do marrin me vete veç një grusht dhe’. Ose më keq akoma, një shishkë me hi pluhur. Pasi varri tashmë është priviligj për shkak edhe të çmimeve të kripura. Këta nuk janë radikalë, por në një farë mënyre sillen si të tillë për shkak të indinjatës.

Sado e zhvilluar të bëhet një shoqëri, prapë pretendimi i menjdes njerëzore do ekzistojë. Megjithatë edhe prej këtyre dalin të çmendur që vrasin, presin…., çfarë nuk bëjnë. Tani si t’ua vëmë emrin. Luftëtarë të ISIS-it, apo efekte, qofshin anësorë, dytësorë, qëndrorë të një dështimi social-global. Që padyshim e ka ngërthyer sot botën në një luftë nervash, e cila po zgjat për të mundur luftrat dështim. Ato të mëparshmet, luftrat botërore.
Më shumë se aludimet e xhaketave të hekurosura, sot tokën e diellit e kanë pushtuar sms-të e viktimave. Aty shfaqet dhe fytyra fatale e dështimit njerëzor.

SHKARKO APP