Jo më blloqe, gjobat nga Policia Rrugore së shpejti elektronike
Së shpejti pritet të ndryshojë mënyra e vendosjes së gjobave nga efektivët rrugorë të Policisë së Shtetit. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka hapur ditën e hënë tenderin për ngritjen e sistemit të gjobave elektronike, duke vendosur në dispozicion një fond limit prej 239 milionë lekësh.
Sistemi i ri raporton SCAN pritet të shpejtojë procesin e vendosjes së gjobave dhe ta bëjë atë më efektiv dhe transparent. Nëse aktualisht masat e Policisë Rrugore hidhen manualisht në sistemin e-gjoba nga blloqet fizik në fund të turnit të agjentit, sistemi i ri do ta hedhë dhe pasqyrojë gjobën menjëherë në sistem, duke e bërë të aksesueshëm edhe për individët nga portali e-Albania.
Policët në terren do të pajisjen me kompjutera celularë me internet, të cilët do t’i lejojnë të kontrollojnë në kohë reale të dhënat e një mjeti, pa pasur nevojë të komunikojnë me qendrën. Sistemi do t’u tregojë efektivëve gjobat dhe karakteristikat e mjetit.
Efektivi i policisë rrugore do të plotësojë më pas gjobën në mënyrë elektronike, përmes një sistemi automatik nëse shkelësi ka patentë shqiptare. Në rast se do të konsiderohet e nevojshme, polici mund të ngarkojë edhe foto të kundravajtjes, si në rastin e parkimit të gabuar.
Policët do të pajiset edhe me printera mobile, të cilët do të lidhen me pajisjen kompjuterike përmes teknologjisë bluetooth.
Krahas zhvillimit të sistemit të gjobave elektronike, tenderi përfshin edhe pajisjen me 250 pajisje mobile, 250 printera mobile, 100 bateri rezervë për pajisjet e mësipërme, 5000 rula letre dhe trajnimin e agjentëve të policisë.
Koha e vënë në dispozicion për realizimin e shërbimit është katër muaj pas lidhjes së kontratës, ndërsa, shoqëria fituese do të mirëmbajë sistemin edhe për katër vite pas dorëzimit të tij.
Këto afate kohore nënkuptojnë se mund të fillojmë ta shohim procedurën e re të gjobave rrugore brenda fundit të këtij viti./ scan