(Jo)profesionistë…çrëndësi ka! Të gjithë po ikin
Nga Ervis Xhelo/Viti 2016 deri tani nuk është konsideruar si viti i largimit të shqiptarëve me kërkesën për azil ekonomik jashtë vendit. Të paktën mediat në Shqipëri, pas kthimit të disa avionëve të mbushur me azilantë nga Gjermania nuk pasqyroi më tej nëse ka ende shqiptarë që presin miratimin e kërkesës për azil ekonomik dhe për më tepër a ka shqiptarë që vazhdojnë të ikin me po të njëjtin qëllim? Nga një kontroll i thjeshtë në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme gjermane (në faqen e Ministrisë sonë të Brendshme është e kotë të këkosh informacion të tillë) deri tani janë 5131 kërkesa të reja nga shqiptarët për azil ekonomik. Gjë që do të thotë se nga fillimi i vitit 2016 e deri tani janë larguar nga Shqipëria edhe 5131 qytetarë me qëllim përfitimin e azilit. Kjo shifër është gati sa gjysma, krahasuar me numrin e shqiptarëve që u strehuan në kampet e Gjermanisë për vitin 2015, që shkoi në 11292. A është vërtet kjo një shifër kaq e papërfillshme sa të mos përbëjë fare lajm në Shqipëri dhe që asnjë institucion zyrtar apo edhe privat nuk e publikon. Shqiptarët po vazhdojnë të ikin dhe ky është një fakt.
Edhe pse viti 2015 u mbyll me një raport të trishtë për fatin e të gjithë atyre që emigruan në Gjermani duke u kthyer thuajse të gjithë mbrapsht, shqiptarët sërish po vazhdojnë të ikin dhe të kërkojnë strehim dhe punësim jashtë vendit të tyre. “Nuk ka azil ekonomik” – Kjo ishte kryefjala e kryekancelares gjermane Angela Merkel pavarësisht ligjit të ri të miratuar në parlament në fillim të janarit të vitit 2016, ku zotërimi i një kontratë pune ishte kusht i lejes së qëndrimit të të gjithë emigrantëve të Ballkanit juglindor. Hyrja në fuqi e këtij ligji u mendua si një STOP i kërkesave për azil, por ja që nuk rezultoi i tillë. Sipas të dhënave të Zyrës së Emigracionit vetëm 1 në 16 shqiptarë arriti të fitojë statusin e azilantit në Gjermani në vitin 2015. Sigurisht që, për vitin 2016 ky raport do të thellohet akoma më shumë, për aq kohë sa në Gjermani në qendër të vëmendjes janë vendet e luftës dhe aspak Shqipëria.
Të gjithë do të kthehen mbrapsht më kërkesën e refuzuar të qëndrimit jashtë vendit dhe me disa shpenzime parash apo larje borxhesh që kushedi sa vite mund e djersë do ju duhen për t’i larë. Por në fund pyetja që rëndon është si ka mundësi që Shqipëria ende vazhdon të listohet në krye të vendeve që kërkon azil? Edhe sa do të vazhdojë ky skenar mashtrimi me lekët e këtyre prindërve dhe të rinjve që shesin çdo gjë për t’i hyrë kësaj rrugë që fundi tashmë i dihet? Edhe sa kohë do të përfitojnë agjencitë dhe kompanitë e fluturimit që njësoj si në vitin 2015 kanë rritur numrin e fluturimeve drejt Gjermanisë dhe padiskutim çmimin e biletës? A nuk është kjo një pasqyrë e qartë e indiferencës së politikës aktuale që nëse nuk ju siguron vende pune dhe perspektive qytetarëve të vet, të paktën t’i parandalojë këto skema mashtrimi që po ju zhvatin shqiptarëve edhe kacidhet e fundit të mbetura? Së fundmi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi se në Shqipëri ka punë por nuk ka profesionistë. A thua se ata që shkuan në Gjermani ishin profesionistët që i munguan Shqipërisë? Edhe Gjermania përherë e më shumë ka nevojë për profesionistë, ndaj nuk pati hapësira për të gjitha ata që mësynë të punonin atje.
Ata që ikën dhe vazhdojnë të ikin janë ata që nuk e gjejnë një punë në tregun e madh që ka hapur Kryeministri me hapjen e zyrave të punës. Janë gjithashtu, edhe ata që lanë punët e tyre në Shqipëri pasi rroga e tyre nuk përballonte dot çmimet e ushqimeve, energjisë elektrike, ujit, qerase apo kredive të këqija që ende vazhdojnë të ofrojnë bankat në Shqipëri. Nëse Kryeministri ynë kërkon profesionistë le të krijojë atë sistem arsimor që t’i bëjë të rinjtë të tillë, profesionistë. Le të krijojë vende pune gjithashtu që t’i bëjë qytetarët profesionistë. Janë rreth 100 histori suksesi që Shërbimi Kombëtar i Punësimit i ka nxjerrë në website-in e vet për të dëshmuar rezultatet e këtij institucioni të krijuar nga qeveria e majtë. Është për t’u përgëzuar dhe shumë mirë që të gjithë qytetarët e kanë një derë më shumë ku të drejtohen, por ama ka dhe shumë histori suksesi të shumë shqiptarëve që pasi nuk kanë gjetur punë aty kanë gjetur nëpër zyrat e punës në Gjermani dhe kudo në Europë. Këtë e vërteton numri gjithnjë e në rritje i studentëve të mjekësisë apo edhe mjekëve që kanë hequr dorë nga zhvillimi i profesionit në Shqipëri për të punuar si të tillë në Gjermani apo edhe Zvicër dhe Austri. Mjafton të shohësh se vetëm 2-3 vitet e fundit, sa shumë është shtuar numri i qendrave të kurseve të gjuhës gjermane dhe atyre që ndjekin këto kurse. Prandaj kur zoti Edi Rama (nëse përherë e ka pasur seriozisht) thotë se nuk ka profesionistë në Shqipëri atëherë po i japim edhe të drejtë, pasi për fat të keq këta profesionistë po i ikin nëpër Europë.