Jorida Tabaku: Kuvendi rrezikon të bëhet një institucion pa rol real në kontrollin e pushtetit

Deputetja demokrate Jorida Tabaku, në një tryezë të nivelit të lartë të organizuar nga Westminster Foundation për forcimin e qeverisjes demokratike dhe ndryshimeve transformuese, ngriti shqetësime të forta mbi efektivitetin e kontrollit të ligjeve pas miratimit dhe rolin e Parlamentit në garantimin e llogaridhënies.

Tabaku theksoi se përvoja në Kuvend ka nxjerrë në pah një problem thelbësor: hendeku mes ligjit dhe zbatimit nuk është rastësor, por struktural. Sipas saj, një pjesë e konsiderueshme e legjislacionit, veçanërisht në fushën e luftës kundër korrupsionit, hartohet për të përmbushur kritere formale të procesit të integrimit europian dhe jo për të prodhuar rezultate konkrete në praktikë.

Ajo vuri në dukje se, ndonëse kuadri ligjor shpesh është në përputhje me standardet e Bashkimit Europian në letër, mungesa e zbatimit real ka sjellë rezultate të dobëta në terren, duke minuar besimin tek reformat.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një tjetër problem madhor, sipas Tabakut, është dobësimi i funksionit mbikëqyrës të Parlamentit. Ajo theksoi se Kuvendi është reduktuar në një rol formal, shpesh duke funksionuar si një “noter” i vendimmarrjeve të qeverisë. Kjo reflektohet në miratimin e ligjeve pa konsultim të gjerë publik, përdorimin e procedurave të përshpejtuara si normë dhe jo si përjashtim, si dhe në praktikën e depozitimit të projektligjeve nga deputetë të shumicës për të shmangur filtrat institucionalë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Procesi i integrimit europian, sipas Tabakut, është thelbësisht politik dhe kërkon vullnet të vërtetë për reforma, jo thjesht përmbushje formale kriteresh. Ajo theksoi se margjinalizimi i opozitës, dobësimi i rolit të komisioneve parlamentare dhe anashkalimi i procedurave demokratike dëmtojnë besueshmërinë e reformave dhe ushqejnë krizën e besimit ndaj avancimit real të vendit drejt Bashkimit Europian.

Duke u ndalur tek Kontrolli Post-Legjislativ, ajo ngriti një problem thelbësor: efektiviteti i këtij mekanizmi mbetet i kufizuar kur qeveria nuk reflekton ndaj gjetjeve dhe madje ndërhyn në kundërshtim me to.

“Çështja nuk është vetëm ekzistenca e mekanizmave, por vullneti për t’i zbatuar ato realisht,” theksoi Tabaku, duke nënvizuar se kjo problematikë nuk lidhet vetëm me ligje specifike, por me një gamë të gjerë ligjesh që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

Ajo solli në vëmendje edhe mungesën e analizave të thelluara për kontratat e Partneritetit Publik-Privat dhe koncesionet, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në financat publike. Sipas saj, Kontrolli Post-Legjislativ duhet të shtrihet jo vetëm mbi zbatimin e ligjeve, por edhe mbi vetë procesin parlamentar: pse ligjet nuk funksionojnë që në shqyrtimin e parë dhe nëse Kuvendi ka reflektuar mbi këto dështime.

“Nëse Kuvendi vazhdon të miratojë ligje pa reflektim dhe pa analizë, duke mos nxjerrë mësime nga gabimet, atëherë rrezikon të mbetet një institucion formal, pa rol real në kontrollin e pushtetit,” u shpreh ajo.

Në përfundim, Tabaku theksoi se problemi kryesor nuk është mungesa e ligjeve, por mungesa e vullnetit për zbatimin e tyre dhe për ndërtimin e institucioneve që garantojnë llogaridhënie. Sipas saj, pa një Parlament që ushtron realisht funksionin e tij mbikëqyrës, lufta kundër korrupsionit dhe procesi i integrimit europian mbeten të paplota.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ikja e Berishës nga kryetar e dëmton PD apo e shpëton?